Dy hapësira publike të shfrytëzueshme për plazh, por edhe dy realitete të ndryshme në to, pavarësisht se vendndodhja e tyre është vetëm pak metra larg njëra-tjetrës.

Shtimi i rreth 400 metër kub rërë në plazhin publik në shëtitoren “Taulantia” të Durrësit e ka transformuar këtë hapësirë. Sipas plazhistëve që e frekuentojnë, ajo ofron kushte mjaft të mira për të bërë banjo dielli dhe plazh.

“Tani që na e sheshuan, që hodhi rërë bashkia, për ne është një gjë e mirë, sidomos ne që jemi afër. E kanë bërë shumë mirë, bravo i qoftë kryetares, që e bëri këtë punë”.

“Jemi shumë të kënaqur,, kanë bërë një mrekulli për ne pensionistët. E falenderojmë kryetaren e bashkisë”.

“Për mrekulli e kanë bërë. Nuk ka pasur asgjë këtu, e shtruan komplet. Ne pensionistët për bukuri jemi”.

“Duke dhe pastërtia, duket dhe rëra e mirë. Mbi 30 vjet që jam larë unë këtu, si sivjet nuk ka bërë vaki”,- thonë disa prej tyre për “DurrësLajm”.

Por edhe pse ky segment i shëtitores, i shtuar me rërë të marrë nga Sektori “Rinia” është shumë më i sistemuar dhe i pastër, në të ka më pak plazhistë sesa disa metra më larg, ku në hapësirën e rërës shumë pranë pistës ka një dyndje më të madhe pushuesish. Pavarësisht prezencës së leshterikut, pensionistët janë frekuentuesit më të rregullt.

Por është pikërisht leshteriku, ai që i bezdis më shumë.

“Kjo pjesë nuk është dhe aq e mirë se ka leshterik. Duhet ta pastrojnë këtë pjesën këtu”.

“Është turp të vish këtu. Kalojnë gjithë turistët shohin këtë vendin këtu pisllëk. Po pse mos ta pastrojnë, çfarë ka? A po i marrin taksat? Po i marrin të gjitha. Erdhën njëherë e pastruan, por ne më shumë po e pastrojmë vetë”.

“Të pastrohet, të pastrohet. Kur nisëm ne plazhin ishte për ibret. Kalonim mbi leshterik, futeshim në det. Erdhën 2 herë e pastruan, gjasme e pastruan, por shih si është prapë”.

“Përditë vijmë këtu, po më keq nuk ka. Taksat i paguajmë të gjitha , po ne pse nuk kemi lekë të ikim te shezlongët vijmë këtu”,- na thonë frekuentuesit e rregullt të kësaj hapësire publike plazhi.

Në pamundësi për të përballuar shpenzimet në plazhe private apo udhëtimin dy herë në ditë me urban drejt Plazhit të madh, mosha e tretë zgjedh shëtitoren “Taulantia” për të bërë plazh. Por ato kërkojnë nga autoritetet vendore më tepër vëmendje për mirëmbajtjen e këtyre hapësirave publike.

M.B.