Në qytetin e Durrësit vijon puna me ritme të larta puna për ndërtimin e Hidrovorit të ri, pas dëmtimeve që pësoi në strukturë objekti ekzistues.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, inspektoi sot punimet që po kryhen për hidrovorin e ri, ndërsa theksoi se “objekti i ri do të jetë me kapacitet shumë me të madh se ai ekzistues”.

Investimet dhe puna që kemi bërë për rehabilitimin e kanaleve të ujërave të larta dhe ndërtimi i hidrovorit të ri do të zgjidhin problemin e përmbytjeve në qytet”, tha Sako.

Kryebashkiakja Sako u shpreh se “hidrovori i ri do të ketë 9 pompa, nga 5 që kishte i vjetri dhe me një kapacitet 36 m3 në sekondë”.

Ky objekt do te ketë një kapacitet më të madh sa i takon evadimit të ujërave të bardha të qytetit. Po ashtu do të shmanget pjesa e përmbytjeve kohën e largimit të ujit gjatë pikut të reshjeve”, nënvizoi ajo.

Sako shtoi se “ky hidrovor po ndërtohet duke pasur ne konsideratë edhe ndërtimin e portit të ri si dhe të gjitha projektet e tjera që qeveria shqiptare ka për zbatimin dhe zhvillimin e kësaj zone”.

Sipas Sakos, ky objekt pritet të përfundojë pranverën e vitit 2023.

Ky hidrovor po ndërtohet në kuadër të procesit të rindërtimit dhe përfshin rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në Porto-Romano- Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane.