Nga Artan Kacan*

Plani i parë rregullues i qytetit të Durrësit u hartua në vitin 1928 nga topografë të ushtrisë italiane: Hugo Pinna Victor, Oreste Tartaglia, Gennaro Carrano, kryekapiteni Brigidi Dino dhe drejtuesi teknik, inxhinieri Giulio Berte. Me mbështetjen e kolonel Ferrarës, ata ndërmorën nismën e shembjes së kasabasë së vjetër të Durrësit me dinamit, duke krijuar korridorin urban që më pas do të emërtohej bulevard.

Ky plan rregullues, në thelb, nuk ishte një dokument zhvillimi i pronës apo një instrument orientues për qytetarët. Ai ishte më shumë një hartë administrative e lexueshme vetëm për pushtetin. Ndërtesat me formë kuadratike shënoheshin me një vijë diagonale për të treguar se konsideroheshin “moderne”, ndërsa ndërtimet me gjurmë të çrregullta trajtoheshin si të vjetra. Ky ishte një mesazh urbanistik i koduar, por jo një udhëzim publik.

Shumë qytetarë, duke parë hapësirat bosh në hartë, menduan se ato do të ishin parqe apo sheshe publike. Në realitet, Bashkia nuk kishte ende instrumente juridike për deklarimin e këtyre sipërfaqeve si prona publike. Ato ishin thjesht boshllëqe të krijuara nga shembje selektive.

Në vitin 1933, plani do të rishikohej nga ekspertët e Bashkisë së Durrësit, nën drejtimin e kryetarit Ahmet Dakli dhe inxhinierit të bashkisë H. Hornickel. Në këtë fazë u përcaktuan më qartë parcelat e zhvillimit, duke ruajtur gjendjen ekzistuese të disa hapësirave publike. U projektuan lulishtet e para të qytetit, shëtitorja që sot njihet si Vollga, sheshi i Bashkisë dhe hapësirat pranë Kazermës së Zogut I, sot Muzeu i Dëshmorëve.

Kjo ishte ndoshta periudha më e shëndoshë e përdorimit të planit rregullues në dobi të qytetit. Megjithatë, problemet e pronës familjare mbetën të pazgjidhura. Parcelat me forma të çrregullta përbënin barrë administrative për një bashki me kapacitete të kufizuara teknike. Për pushtetin vendor, më të favorshme ishin parcelat e rregullta, të matshme dhe të taksueshme, sepse maksimizonin të ardhurat dhe minimizonin kostot e administrimit.

Rreth nëntë vite më vonë, në vitin 1942, qyteti ishte rritur pothuaj trefish në popullsi dhe dendësi, sidomos në lagjet historike. Në këtë periudhë, plani rregullues nisi të përdorej si instrument kapitalizimi të pasurive publike për qëllime shitjeje. Shumë livadhe dhe toka që deri dje konsideroheshin publike iu kaluan oligarkëve të kohës. Kjo gjë denoncohet edhe në ndërhyrjet publike të avokatit dhe ish-kryebashkiakut Hysen Myshketa.

Privatizimi i parcelave të çrregullta dhe mungesa e përcaktimit të qartë të parqeve publike krijuan presion të madh mbi popullsinë vendase. Rasti më tipik është ai i familjes Kapidani, e vendosur në Lagjen Skënderbeu, sot e njohur si zona e Poliklinikës.

Familja në fjalë kishte nisur investimin në pronën e saj private menjëherë pas planit të vitit 1933, duke u orientuar nga politika publike e krijimit të shesheve dhe hapësirave të lira. Por në vitin 1942, me planin e ri rregullues, ata konstatuan se zona përballë shtëpisë së tyre, e perceptuar si hapësirë publike, do të shndërrohej në volum ndërtimor për parcela të tjera private.

Kryefamiljari, me të drejtë, u ankua në Bashkinë e Durrësit për humbjen e vlerës së investimit, pasi banesa e tij mbeti në vijën e dytë të rrugës kryesore. Një investim privat i bërë mbi bazën e sinjaleve publike u zhvlerësua nga një vendimmarrje e mëvonshme administrative.

Edhe sot, kjo logjikë nuk është zhdukur. Jepen leje zhvillimi përtej kufijve funksionalë të pronës, shpesh në dëm të banorëve ekzistues, për të ngritur komplekse të mëdha rezidenciale pa plane të detajuara serioze që të përcaktojnë koeficientët e ndërtimit, hapësirat publike dhe infrastrukturën mbështetëse.

Shumë njësi strukturore të planit aktual mbeten ende të papërcaktuara qartë, duke lënë hapur terrenin e klientelizmit urban në dëm të qytetarëve. Historia e familjes Kapidani na kujton se pa transparencë, pa siguri juridike dhe pa orientim të qartë publik, plani rregullues nuk është instrument zhvillimi — por instrument pushteti.

Ankesa e Riza Kapidanit (Ashq, Fondi 152 (Ministria e Puneve te Brendshme) Viti 1942, Dosja 721)

Shkelqesies Saj

MINISTRIESË SË P. TË MIRËNDËSIVE

T I R A N Ë

Marrur më 19.XII.1942

Prot. 19045

Kam nderin me i-u paraqit Shkelqesies Suej se mbi lejen Nr. 41 Dt. 10.5.1935 akordue prej Zyres Teknike të Bashkies Durres-it në konformitet me pllanin e parë rregullues t’atij Qyteti dekretue në vitin 1934 kamë ba nji shtëpi të madhe moderne në ballë të pjacës re qi u parashikonte me aplikimin e atij pllani tue ba sakrifica dhe shpenzime të mëdhaja qi edhe at-herë formojshin nji shumë kolosale.

Pasi u binda se përpara pronës t’eme do t’u formonte nji pjacë me rëndësi shkrina kapitalin dhe mujtja me ba ate ndërtesë. Por fatkeqsisht informohem se mbas nji projekti të pllanit dytë të Qytetit hartu në vitin 1940 prej nji komisionit teknik dhe pëlqye nga Zyra Qendrore e Edilicies e të Urbanistikës pjaca e parashikueme prej pllanit parë do t’u zhdukte tue ngel shtëpija e jeme krejtë e qarkueme me pronat e fëqijëve pa të drejtë kalimi dhe mbi rrugën e vjetër të lagjes t’onë. Kojtojmë se komisioni mbi kët pik do të jetë kallë në nji gabim të pashun shkaktue nga mos ekzaminimi i imtë të pozicionit në vend dhe natyrisht kjo ka me u konstatue e vërtetu me nji keqyrje teknike të nji komisioni kompetent. Unë ndërtesën e kamë ba tashti vonë tue u konformue plotësisht pik pamjes teknike të Bashkies bazu në nji pllan të dekretuem. Në qoft se kjo do të më zhvleftësohet me modifikimin e ri jo i drejtë të fundit at-herë damet e mija do të jenë të pa shperblyeshme.

Gabuashmanija e ndryshimit të pllanit të fundit për sa i përket lagjes e pjacës t’onë asht invokue e pretendue edhe prej pronarëve të qarkut t’onë fuqi.

Për ndriçim të çështjes paraqiten edhe dy pllane të çështjes konkrete.

Pra lusim Shkelqesien e Juej të keni mirësin me marrë parasysh faktet e parashtrueme dhe me urdhenue ku duhet qi t’i merren në shqyrtim pozicionet e ndryshimet e dy pllaneve tue u legalizue pllanit i parë masi kjo në çdo pik pamje asht ma e dobishme dhe bile ma e nevojshme si për Bashkien ashtu dhe për pronarët e qarkut pa i lanë vend të shkaktohen dame e shpenzime të mëdhaja prej palëve të interesueme.

Me nderime

Riza Kapidani, banues në rrugën Skanderbeg-Durrës.

Durrës, me 12.12.1942 XXI-

(Firma)

Kapidani

*shkrimi është marrë nga Facebook i Artan Kacanit