“Pse ti duhet të më kërkosh mua çelësin e apartamentit tim, ndërkohë që ti e more për të më shkatërruar shtëpinë? Nuk ka aty brenda asnjë lloj punimi, vetëm dera ishte shkatërruar, shtëpia ishte e vjedhur dhe sirtarët ishin të gjitha të hapura”.

Ky është denoncimi i Valbona Domit, banore e lagjes nr. 9 të Durrësit në pallatin nr. 1035 rruga “Dëshmorët”.

“Është çështja tek pallatet që janë duke u rikonstruktuar në Durrës nga kompani apo minikompani, të cilëve shteti u jep një mundësi të futen në tregun e punës, sepse siç e dimë konkurenca është e fortë”, thotë e shqetësuar ajo, ndërsa shton:

“Dhe si e përfaqësojnë veten këto lloj kompanish? Këto e përfaqësojnë duke i marrë çelësat me një obsesion ekstrem, ndërkohë që në atë apartament që kanë kërkuar çelësin, nuk kanë kryer asnjë lloj punimi.”

Valbona dhe nëna e saj më datë 10 maj i dorëzuan çelësat e shtëpisë së tyre, përgjegjësit dhe përfaqësuesit të firmës “Zajsi Rikonstruksion”, zotit Viktor Beci dhe më datë 18 kanë shkuar të shohin ecurinë e punimeve.

Sapo kanë hyrë në banesë, panorama që panë ishte kjo.

“Unë vij kontrolloj punimet këtu dhe zotin Viktor Beci e gjej po me cigare në gojë, 70% të dehur dhe vetëm 30% koshient për gjërat e veta.

E kemi denoncuar rastin në polici. Erdhi oficerja e policisë gjyqësore, mori të dhënat, është bërë deklarimi në prokurori dhe tani ne presim përgjigje”, deklaron Valbona, ndërsa thotë se dëmi i përllogaritur është afro 5 milionë lekë të vjetra me “shumë sende personale të vjedhura, përveç atyre të mia, rroba, këpucë, janë edhe sende të familjes.”

Përgjegjësi i punimeve dhe i akuzuari për ngjarjen thotë se deklarimet i ka dhënë në polici.

“Kjo çështje ka shkuar në duart e policisë. Kaq. Sqarimet i kam bërë të gjitha në polici. Policia të veprojë të nxjerrë atë keqbërës që e ka bërë, nëse e ka bërë. Çdo gjë është në dorën e policisë”, tha Viktor Beci i pyetur nga “DurrësLajm”.

Këtë pohon edhe policia e Durrësit, e cila konfirmon se ngjarja është referuar si vepër penale “Vjedhje”.

Në një përgjigje zyrtare për “DurrësLajm”, blutë e qarkut bëjnë me dije se materialet i janë dorëzuar Prokurorisë dhe kjo e fundit po vijon hetimet.

K.Gj.