Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme, ku një punëtor ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i 7-të i një pallati në ndërtim në zonën e ish-Kinostudios.

Leonard Fejzullahu, i vëllai i viktimës, në një deklaratë për Report tv thotë se kanë bërë denoncim në komisariat dhe se deri më tani janë arrestuar dy persona, sipas tij, pronari dhe tekniku i firmës. Ai thotë se babai i pronarit i ka shkuar tek shtëpia dhe i ka shprehur gatishmërinë për t’i mbuluar shpenzimet e ceremonisë mortore, por ai ka refuzuar. Leonard Fejzullahu bën thirrje për drejtësi për vëllain e tij.

Pyetje: Si e mësuat ngjarjen?

Më mori në telefon shoferi i ambulancës nga telefoni i vëllait. Vëllai e kishte pasur telefonin në xhep, i kishin hapur telefonin dhe më kanë marrë mua. E kanë parë numrin tim pasi i kisha rënë më herët në celular. Gjithë jetën ka punuar në ndërtim por prej një jave punonte te ajo firma.

Pyetje: Ju thatë se ju thirrën dhe te morgu?

Më thirri shoferi i ambulancës e më tha është në gjendje të rëndë. I thashë a të vij te spitali? Jo më tha më prit në shtëpi. Erdhi më mori këtu, pastaj rrugën më tha se ka vdekur. Kur shkova unë e gjeta të vdekur, ishte bërë sallatë, hemorragji e brendshme.

Pyetje: A ishte i siguruar në punë?

Këta thonë se gjoja ka qenë i siguruar, po ku ta dimë ne, ata ashtu thonë.

Pyetje: Çfarë kërkoni si familje?

“Ne kërkojmë drejtësi nga shteti.”

Pyetje: A tentuat të flisni me pronarin e firmës?

Pronarin e ka marrë policia. Ne shkuam dhe bëmë denoncimin te komisariati nr.4, pastaj pronarin e teknikun i ka arrestuar policia. I ati i pronarit na erdhi te shtëpia dhe na tha që i marrim ne përsipër shpenzimet. Jo, unë nuk kam nevojë për shpenzimet kam nevojë për drejtësi. Vëllai ka lënë gruan dhe nënën 80 vjeç. Nuk ia di emrin se nuk u prezantua, tha jam babai i pronarit të firmës. Tha do u mbuloj shpenzimet, i thashë nuk kam nevojë. Te morgu nuk kam gjetur asnjë person nga firma ndërtuese.

Adrian Fejzullahu kishte vetëm 5 ditë që ishte pjesë e skuadrës për ndërtimin e objektit, teksa ka qenë duke ngritur kova me llaç kur ka rënë nga lartësia e pallatit, i cili nga një vëzhgim i thjeshtë nuk ka as rrjeta dhe as skela. Viktima së bashku me bashkëshorten kishin jetuar në Greqi e së fundmi ishin kthyer për të jetuar në Shqipëri.