Aktivisti i “Nismës Thurje”, Marsel Rupi tha se aktori shqiptar i cili i dha fund jetës, Florind Belliu shkoi në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur ëndrrën e tij, aktrimin.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Rupi u shpreh se me Belliun kanë qenë studentë në Akademinë e Arteve, teksa shtoi se 35-vjeçari e ushtroi herë pas here profesionin në SHBA.

“Fakti është që, vërtet në këtë vend njerëzit ikin shumë për pjesën ekonomike, por ai nuk iku vetëm për këtë. Ai iku për të ndjekur endrrën, iku për t’u bërë aktor, nuk e la profesionin.

Herë pas here e ka ushtruar profesionin, por atje është një treg shumë më i egër sesa këtu, ka tentuar, nuk e ka lënë asnjëherë. Nuk e la asnjë moment pjesën e aktrimit, duke u interesuar here pas here për vepra shqiptare, i përkthente vetë në anglisht”, theksoi ai.