Nga BUJAR QESJA

Një lajm, si shumë lajme të kohëve të fundit, ishte tronditës. Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare, juristi i njohur Osman Dashi. E quaja si një detyrë personale për të thënë dy fjalë për këtë mik, apo shok të hershëm timin. Mosha jonë ndryshon jo pak, por tetë vite. Por fjala shok, kishte kuptim për kohën kur u rritëm ne.

Në rrugën ku u linda dhe hodha shtat “Nail Kondi” në lagjen 4, kisha komshi edhe Serije Dashin. Nënë Serija ishte një grua e mirë, e urtë dhe shumë e dashur, sidomos me ne fëmijët e vegjël. Rruga e jonë, ose më saktë gjysmë rruga e jonë, përbëhej nga familjet e Sirije Dashit, Rexhep Arapit, Rakip Mujkës, Qazim Domit, Ilia Jorgjit, Rexhep Çitakut, Zija Bletës, Andon Boshnjakut, Patra Miços, Beqir Arapit, Xhafer Qesjes, Ramazan Çullhajit, Maliq Demirit, Hasan Ibrahimit, Sotir Theodhorit, Nasi Xhokaxhi, Mezan Sulejmanit etj. Këto ishin familjet ku kaluam fëmijërinë tonë dhe na deshën si fëmijët e tyre.

Largimi nga jeta i Osman Dashit, kryesisht për këtë më trishtoi më shumë, pasi m’u kujtua fëmijëria, lagja e vjetër, rruga e lindjes, miqësia me shokët që u deshëm si vëllezër dhe respekti për më të mëdhenjtë, ku më mbreslënësi mbetet ky Osman Dashi. Nuk ka patur njeri më të mirë. Dhe e motra e tij Lumja, mbetej mrekulli më vete.

Nuk më harrohet një batutë e Lumes, këtu e 60 vite të shkuara ku më thërriste me shaka:

-Unë jam jevga e Serijes, ndërsa ti je jevgu i Kadrijes.

Qeshnim me të madhe, pasi që të dy ishim të zeshkët dhe nënat tona gjithashtu.

Para Monit siç i thërritnim, na u largua nga jeta Bardhyl Arapi, djali i novatorit duarartë Rexhep Arapi, vëllai i Midit, Gimit dhe Edës. Një humbje që na dogji. Na ka ikur edhe Lol Dedi, Pupi Theodhori, shoqja që u rritëm së bashku, pasi një mur i ndante shtëpitë tona. Dhimbjet janë të mëdha, kur nuk i ke më të gjallë, ato njerëz që ruan kujtimet më të shtrenjta, më të bukura, më të pashlyera, më mbreslënëse, me të cilët u rrite dhe ndamë kafshatën e bukës së bashku. Ishim një familje. Çdo derë po ti bije të hapej dhe të pritnin si fëmija e tyre. Fëmijëri e vështirë, por shumë e bukur, shumë e ëmbël, mbushur me ëndrra dhe fantazi.

Eh Osman Dashi, më bëre të lotoj dhe të bie në kujtime! Sa humor ke patur! Sa mirë je sjellur me ne më të vegjëlit. Të kishim si vëlla të madh. Dhe dera e shtëpisë tuaj mbetej e hapur, mbetej pa çels, pasi kishte humbur në shpirtin tonë vëllazëror. Motër dhe vëlla Lumturi dhe Osman Dashi!

Lumja iu dha me shpirt artit. Bëri emër në trupën profesioniste të teatrit dhe estradës. Ajo dogji edhe jetën e saj, duke iu përkushtuar tërë kohën roleve artistike. E kisha si motër. Gjithnjë e qeshur dhe me zemër të madhe. Ajo u nda nga jeta në mars të vitit 2008, 13 vite para Osman Dashit, vëllait të saj të shtrenjtë. I ka dhënë shumë artit dhe kulturës durrsake, ka sakrifikuar për to dhe nuk dua të ndërtoj problematikën se çfarë mori.

Osman Dashi një jurist i vjetër në Durrës. Punoi si prokuror në Prokurorinë e Qarkut Durrës dhe kur doli në pension ngriti një studio avokatie. E shoqja Reti, është një farmaciste e njohur, të cilët ndërtuan një familje për t’ia patur zili.

Nuk e di se çfarë ka ndodhur me Osmanin tim të fëmijërisë. Nuk e di se cili ka qenë shkaku i largimit nga jeta, covidi apo diçka tjetër. Por ajo që më dhëmb, është që Osman Dashit nga sot, i jepet lamtumira e fundit. Dhe mua fëmijës së rrugës së vjetër “Nail Kondi”, të lagjes numur 4, më humbi idhulli, më humbi shembulli si ti ngjaja, në mirësi, në sjellje, në bujari, në urtësi, në intelekt, në komunikim, në respekt dhe në çfardo tregues tjetër pozitiv.

Sot humbëm Osman Dashin! Para 13 vitesh humbëm edhe Lumturi Dashin. Që të dy vëlla e motër. Që të dy fëmijët e nënës së dhëmbshur dhe të vuajtur Serije Dashi.

Sa i doja!