“Në labirint” është instalacioni i vendosur mëngjesin e sotëm në qendër të Durrësit dhe që për 5 ditë me radhë do të mirëpresë prindërit dhe të rritur e qytetit bregdetar për të reflektuar mbi mirërritjen e fëmijëve.

Duke marrë shkas nga statistikat alarmante, të cilat raportojnë se rreth 66% e prindërve apo kujdestarëve ligjorë e konsiderojnë dhunën si mjet disiplinimi, instalacioni “Në labirint” i fton ata për të diskutuar me ekspertë e psikologë sesi vendimmarrja e të rriturve ndikon në plan afatgjatë në formimin e personalitetit të fëmijëve.

Diana Kanaj, këshilltare për programin e mbrojtjes së fëmijëve në World Vision, sqaroi për mediat.

“Labirinti është një fushatë ndërgjegjësimi e ndërmarrë në kuadër të fushatës globale të Wold Vision. Të dhënat tona të brëndshme si World Vision, na kanë treguar se prindërit e shohin dhunën si një mjet të domosdoshëm për disiplinimin e fëmijëve të tyre. Kështu që ne e pamë të arsyeshme që ndoshta mund ti vendosnim prindërit në një lloj eksperience ndryshe dhe Labirinti e bën këtë gjë.

Labirinti është një eksperiencë e cila i ofron prindërve hapësirën e reflektimit për rritjen e fëmijëve, është një fushatë ndërgjegjësimi ndryshe.”,- u shpreh Kanaj,

Instalacioni “Në labirint” do të qëndrojnë i hapur në Durrës për 5 ditë me radhë. Kjo është ndalesa e tretë e këtij projekti pas turit të zhvilluar në Tiranë dhe Korçë.