-Mësuesi që jeton përmes nxënësve të tij
-Emër i gdhendur në kujtesën e arsimit
-Njeriu, dija dhe përkushtimi

Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Udhëtimi i një njeriu që u bë shembull

Në trevën me histori të thellë si Ishmi, ku tradita, arsimi dhe ndjenja e përkatësisë ndërthuren natyrshëm, lindin figura që nuk janë vetëm individë, por institucione në vete. Një prej tyre është edhe Isuf Shehu, mësues, drejtues, qytetar dhe njeri i përkushtuar ndaj dijes dhe shoqërisë. Jeta e tij nuk është vetëm rrëfim personal suksesi, por histori e gjallë e arsimit dhe e përkushtimit njerëzor në vite.

Në këtë portret të zgjeruar, përpiqemi të ndërtojmë dimensionet e një figure komplekse, e cila edhe në moshën 79-vjeçare, vazhdon të mbetet aktive, frymëzuese dhe e pazëvendësueshme.

Isuf Shehu e ka ndërtuar jetën pa zhurmë, duke u përmëndur në Ishëm si dukuri pikante i arsimit, përkushtimit dhe qytetarisë. U bë shtyllë e fortë, duke e kthyer klasën në tempull dijesh, shkollën në vatër kulture dhe njohurish.

Shehu nuk është vetëm mësues i fizikës, por edukator i brezave. Nuk është vetëm drejtues shkolle, por organizator dhe vizionar. Nuk është vetëm pjesëmarrës në jetën shoqërore, por nga nxitësit kryesorë të saj. Në çdo pozicion që ka mbajtur, ka lënë gjurmë të dukshme dhe të qëndrueshme.

Për dekada me radhë, mbetet udhërrëfyes për mijëra nxënës, duke u dhënë jo vetëm njohuri, por edhe një kod moral për jetën. Shumë prej tyre janë bërë profesionistë të aftë, mjekë, inxhinierë, juristë etj. Në themelin e suksesit të tyre, qëndron mësimi dhe frymëzimi i marrë dhe nga një mësues, që beson se edukimi është akt formimi i njeriut në tërësinë e tij.

Ky portret i zgjeruar, synon të sjellë përpara lexuesit, frymën që e ka shoqëruar në çdo hap. Sepse figura të tilla, nuk maten vetëm me vite apo tituj, por me ndikimin që kanë lënë tek njerëzit dhe komuniteti. Dhe në këtë kuptim, Isuf Shehu nuk është vetëm një emër në historinë e arsimit të Ishmit, por kapitull i tërë i saj.

Themeli i karakterit të fortë

Isuf Shehu, u lind më 3 shtator 1947 në Ishëm të Durrësit, zonë që nuk është thjeshtë hapësirë gjeografike, por botë më vete me histori, tradita dhe identitet të fortë njerëzor. Ishmi, me kodrat e buta, me afërsinë me detin dhe me të kaluar të pasur historike, ka qenë gjithmonë vatër, ku janë formuar njerëz punëtorë, të ndershëm, të lidhur fort me tokën dhe punë sociale. Pikërisht në këtë mjedis, u hodhën themelet e para të karakterit të Isuf Shehut.

Fëmijëria e tij, u rrit në një kohë jo të lehtë për vendin, kur sfidat ekonomike dhe shoqërore ishin të pranishme në çdo familje shqiptare. Por, si shumë bashkëmoshatarë, Isufi mësoi që herët vlerën e punës, sakrificës dhe respektit për dijen. Familja dhe rrethi shoqëror, luajtën rol aktiv në formimin e tij, duke i ngulitur ndjenjën e përgjegjësisë dhe dëshirën për të ecur përpara përmes arsimit.

Shkollën fillore dhe shtatëvjeçare i kreu në vendlindje, duke u dalluar menjëherë për seriozitetin dhe përkushtimin ndaj mësimit. Nota maksimale 5 në atë kohë, nuk ishte tregues formal, por dëshmi e një pune të palodhur dhe e vullnetit të hekurt për të përvetësuar dijen. Ishte ndër nxënësit që nuk kënaqeshin me minimumin, por kërkonin gjithmonë më shumë, cilësi që do ta shoqëronte tërë kohën.

Që herët Isuf Shehu, shfaqte interes për fenomenet natyrore, për logjikën dhe për arsyetimin shkencor. Kjo prirje, do të bëhej më vonë orientim i qartë drejt shkencave ekzakte dhe në veçanti, fizikës.

Rrënjët e tij në Ishëm, nuk mbetën vetëm kujtim i fëmijërisë. U kthyen në burim të vazhdueshëm frymëzimi dhe përgjegjësie. Edhe kur rruga e jetës e çoi drejt studimeve dhe më pas drejt një karriere të gjatë në arsim, Shehu e mbajti gjithmonë të gjallë lidhjen me vendlindjen, duke ndihmuar dhe bërë nga figurat më përfaqësuese të saj.

Në të vërtetë, për të kuptuar Isuf Shehun, duhet të kuptosh Ishmin. Kjo pasi është produkt i drejtpërdrejtë i kësaj toke, i vlerave dhe i shpirtit të saj të palëkundur.

Nga Shkodra në Tiranë për rrugën e dijes

Rruga arsimore e Isuf Shehut, është shembull i qartë se si talenti, përkushtimi dhe këmbëngulja, bashkohen për të realizuar ëndrrat më të bukura. Pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të shkollës shtatëvjeçare, hodhi hap vendimtar drejt formimit profesional, regjistrimin në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër.

Vitet e studimit në këtë institucion, nuk ishin vetëm fazë arsimimi, por periudhë formimi të thellë intelektual dhe njerëzor. Shkolla pedagogjike e Shkodrës, nga më të njohurat në vend për përgatitjen e mësuesve, kërkonte disiplinë, përkushtim dhe standarde të larta.

Isuf Shehu jo vetëm që iu përshtat këtyre kërkesave, por u dallua ndër më të mirët, duke përfunduar studimet në vitin 1965 me të gjitha notat 10-ta. Arritje e tillë nuk ishte rastësi, por rezultat i një pune sistematike dhe i dashurisë të sinqertë për dijen.

Këto rezultate të shkëlqyera, i hapën dyert për të vazhduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën e fizikës, zgjedhje që pasqyronte qartë prirjet dhe pasionin për shkencat ekzakte. Për një djalë nga Ishmi i asaj kohe, hyrja në universitet ishte jo vetëm sukses personal, por edhe krenari për familjen dhe krejt zonën.

Studimet universitare përbënin tjetër sfidë, ku kërkohej nivel më i lartë përgatitjeje dhe përkushtim i vazhdueshëm. Fizika, nga disiplinat më të vështira dhe më të bukura të shkencës, kërkon logjikë të fortë, mendim analitik dhe këmbëngulje. Isuf Shehu i përqafoi këto sfida, duke u formuar jo vetëm si njohës i mirë i lëndës, por edhe si mendje e strukturuar dhe kërkuese.

Studimet ishin mjet, për të realizuar një ëndërr të kahershme. Të bëhej mësues. Isufi e shikonte arsimin si mision, si mundësi për të ndikuar në formimin e brezave dhe në zhvillimin e shoqërisë. Në auditorët e universitetit, u formua baza e fortë shkencore, që do ta shoqëronte gjatë jetës profesionale. Aty u kristalizua edhe filozofia e tij pedagogjike, të mësosh me pasion, të shpjegosh me durim dhe të edukosh me shembull.

Kur përfundoi studimet dhe u kthye në Ishëm për të dhënë mësim, nuk ishte vetëm një i ri me diplomë në dorë. U bë mësues i formuar, i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që mbante dhe i gatshëm, për të nisur rrugëtim të gjatë në shërbim të dijes.

Misioni që u bë identitet

Të flasësh për jetën e Isuf Shehut në arsim, do të thotë të përshkruash një rrugëtim të gjatë, të qëndrueshëm dhe të mbushur me përkushtim të rrallë. Gjatë kohës së punës, Isufi nuk e ka parë profesionin e mësuesit si detyrë të zakonshme, por si mision të shenjtë, ku çdo ditë në klasë, ishte mundësi për të ndërtuar të ardhmen përmes brezave.

Që në hapat e para të karrierës, dallon për seriozitetin dhe mënyrën e veçantë të të dhënit mësim. Fizika dhe matematika, shpesh të konsideruara si lëndë të vështira, në duart e tij bëhen të kuptueshme, tërheqëse dhe logjikisht të qarta. Isuf Shehu, ka aftësinë e rrallë për të shpjeguar thjeshtë të ndërlikuarën, duke i bërë nxënësit jo vetëm të mësonin, por edhe të dashuronin dijen.

Është edukator i vërtetë, që i kushton rëndësi të madhe formimit moral dhe qytetar të nxënësve. Në klasat e tij, disiplina nuk diktohet me autoritet, por ndërtohet mbi respektin e ndërsjelltë. Nxënësit mësonin të ishin të ndershëm, të përgjegjshëm dhe të përkushtuar.

Kapitull i rëndësishëm i kësaj jete në arsim, është periudha rreth 20-të vjeçare si drejtor i shkollës së mesme në Ishëm. Në këtë pozicion, Isuf Shehu u shfaq si drejtues i aftë dhe vizionar. Kuptonte se shkolla, nuk është vetëm institucion mësimor, por organizëm i gjallë që kërkon frymë, drejtim dhe vizion. Shkolla për të, nuk ishte vetëm godina ku zhvillohej mësimi, por hapësira ku formoheshin karaktere, ku ndërtohej qytetaria dhe ku përgatitej e ardhmja.

Në sajë të aftësive drejtuese, shkolla e mesme e Ishmit, u kthye në qendër nxitëse arsimore dhe kulturore. Punoi për rritjen e cilësisë së mësimdhënies, forcimin e disiplinës dhe krijimin e një mjedisi, ku mësuesit dhe nxënësit ndiheshin të motivuar. Mbeti drejtues që dëgjonte, mbështeste dhe kërkonte gjithmonë më të mirën nga stafi dhe nxënësit.

Për Isuf Shehun, çdo nxënës është histori më vete. Nuk i shikonte si numra apo si rezultate, por si individë me energji, që duheshin zbuluar dhe zhvilluar. Shpeshherë, ka qenë mbështetje jo vetëm në mësime, por edhe në jetën personale të nxënësve, duke i orientuar dhe inkurajuar në momente vendimtare.

I kushtoi rëndësi të veçantë klimës në shkollë. Nën drejtimin e tij, marrëdhëniet mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve, u ndërtuan mbi respektin dhe mirëkuptimin. Mbeti gjithmonë i hapur për dialog, duke e bërë shkollën institucion, ku çdo zë dëgjohej dhe çdo problem kërkonte zgjidhje me drejtësi dhe maturi.

Isuf Shehu ishte dhe mbetet, arkitekt i padukshëm i suksesit të një institucioni arsimor. Nuk ndërtoi vetëm struktura funksionale, por ngriti model shkolle me identitet, me dinjitet dhe me një frymë, që vazhdon të jetojë përtej kohës si drejtues.

Me drejtor Isuf Shehun, shkolla e mesme e Ishmit arriti nivele të larta dhe u vlerësua në rang kombëtar. Kulmi i këtij vlerësimi, mbetet dekorimi i shkollës me titullin “Mjeshtri i Madh i Punës”, nder që reflektonte jo vetëm arritjet institucionale, por edhe filozofinë drejtuese të vetë Shehut.

Shpirti krijues përtej shkencës

Në pamje të parë, portreti i Isuf Shehut lidhet natyrshëm me shkencat ekzakte, me logjikën e ftohtë të fizikës dhe saktësinë e matematikës. Por, përtej këtij dimensioni racional, fshihet një botë e pasur shpirtërore, ku arti dhe kultura zënë vend të veçantë. Ky pasion i hershëm për letërsinë, teatrin dhe skenën, është tregues për një personalitet të ekuilibruar, ku mendja dhe ndjenja bashkëjetojnë në harmoni.

Nga shprehjet më të bukura të këtij pasioni, ishte angazhimi në teatrin shkollor. Me nxënësit maturantë, vuri në skenë disa drama, duke marrë përsipër rolin e regjisorit, organizatorit dhe udhëheqësit artistik. Këto shfaqje nuk ishin vetëm veprimtari argëtuese, por projekte të mirëfillta kulturore, ku nxënësit mësonin të bashkëpunonin, të shprehnin emocionet dhe të fitonin besim.

Ndër këto vepra, spikat drama “Baca i Gjetajve”, e cila mbeti gjatë në kujtesën e komunitetit për mesazhin, interpretimin dhe emocionin që përcolli. Skena e Shtëpisë së Kulturës në Ishëm u kthye në hapësirë, ku arti merrte jetë dhe ku të rinjtë kishin mundësinë të shfaqnin talentin e tyre, nën drejtimin e një mësuesi që i besonte dhe i frymëzonte.

Pasioni për kulturën, nuk u kufizua vetëm në skenë. Ishte mbështetës i vazhdueshëm i krijimtarisë letrare në zonën e Ishmit. Ka ndihmuar, drejtuar dhe promovuar krijimet e rreth 15 autorëve lokalë, duke u bërë urë lidhëse mes talentit dhe publikut. Ky ndihmesë është e çmuar, pasi ndihmon në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kulturor të zonës.

Isuf Shehu nuk kërkonte të ishte në qendër të vëmendjes, por të krijonte hapësira ku të tjerët të shkëlqenin. Ky është tipari i një edukatori të vërtetë dhe i një njeriu, që e sheh suksesin si arritje kolektive. Shehu dëshmon, se një mësues i madh, nuk është vetëm ai që di të shpjegojë formula, por të ndezë shpirtin, të ushqejë ndjenjat dhe të formojë njerëz të plotë.

Dhe pikërisht këtu, qëndron bukuria e figurës së Isuf Shehut, në aftësinë për të bashkuar shkencën me artin, arsyen me emocionin dhe dijen me kulturën.

I shkrirë me ishmakët e tij

Përtej figurës së mësuesit dhe drejtuesit të suksesshëm, Isuf Shehu shfaqet me të njëjtën forcë si qytetar i angazhuar dhe humanist i përkushtuar. Në jetën e tij, komuniteti nuk ka qenë kurrë realitet i largët, por pjesë organike e përditshmërisë. Nuk ka ditur të qëndrojë indiferent përballë nevojave të njerëzve, por zgjodhi gjithmonë të jetë aktiv, i pranishëm dhe ndihmues.

Që herët është përfshirë në veprimtari shoqërore dhe organizative, duke e parë këtë angazhim si detyrim moral ndaj vendlindjes. Për të, të jesh i dobishëm nuk është zgjedhje, por mënyrë jetese. Nëpërmjet pjesëmarrjes në organizata dhe shoqata jo fitimprurëse, Isufi ka dhënë ndihmesë të vazhdueshëm në promovimin e vlerave historike, kulturore dhe qytetare të trevës së Ishmit.

Në periudha të vështira për vendin, si tërmeti dhe pandemia e Covid-19, Isuf Shehu nuk u tërhoq, por doli në vijën e parë të ndihmës për komunitetin. Si kryetar i një shoqate humanitare në Ishëm, organizoi dhe shpërndau ndihma konkrete për familjet në nevojë.

Në këto momente delikate, u shndërrua në pikë referimi për shumë familje, duke treguar se solidariteti nuk është fjalë e bukur, por veprim konkret. Bashkoi njerëz, mobilizoi burime dhe dha shembullin, se si komuniteti mund të qëndrojë i fortë kur udhëhiqet nga vlera të vërteta.

Isuf Shehu, ka qenë gjithmonë nxitës i jetës sociale dhe qytetare në Ishëm. Ka marrë pjesë në organizimin e veprimtarive të ndryshme kulturore dhe përkujtimore, duke ndihmuar në ruajtjen e kujtesës historike dhe forcimin e identitetit lokal. Moment i rëndësishëm mbete organizimi i festimeve për 110-vjetorin e shkollës së parë shqipe në Ishëm, ku u përurua memoriali “ABC”, simbol i përjetshëm i dijes dhe i rrugëtimit arsimor të zonës.

Po ashtu, roli i tij në strukturat e Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it është tjetër dëshmi e përkushtimit qytetar. Si nënkryetar dhe drejtues në nivele lokale, ka punuar për të ruajtur dhe transmetuar tek brezat e rinj, vlerat e luftës dhe të historisë kombëtare, duke e konsideruar këtë si detyrë të rëndësishme morale dhe edukative.

Me rininë e zonës, ka ideuar dhe ndërtuar një lulishte në qendër të lagjes Gjuricaj, një hapësirë e vogël, por me domethënie të madhe, që tregon kujdesin për mjedisin dhe dëshirën për të krijuar të tilla edhe më të bukura dhe më të jetueshme për banorët.

Isuf Shehu, nuk ka kërkuar kurrë protagonizëm apo lavdi personale. Ka punuar në heshtje, me bindjen se vepra flet më shumë se fjala. Pikërisht kjo e bën edhe më të respektuar në sytë e ishmakëve të tij dhe jo vetëm. Angazhimi shoqëror dhe humanitar i Isuf Shehut, është zgjatim i natyrshëm i personalitetit të tij si mësues dhe edukator.

Kur puna flet, nderi vjen natyrshëm

Në jetën e një njeriu që i ka kushtuar gjithçka dijes, edukimit dhe shërbimit, vlerësimet nuk janë qëllim, por pasojë e natyrshme e rrugës së ndershme dhe të palodhur. Kështu ndodh edhe me Isuf Shehun. Titujt dhe dekoratat që ka merituar ndër vite, janë simbole nderi, por edhe dëshmi konkrete, e një jete të jetuar me krenari, përkushtim dhe përgjegjësi të lartë qytetare.

Ndër vlerësimet më të rëndësishme që mban, spikat dekorimi me Urdhërin “Naim Frashëri” i klasit të dytë, nga nderimet më të larta në fushën e arsimit dhe kulturës. Ky titull i është dhënë me motivacionin “për përgatitje shkencore dhe kualifikim të lartë profesional”, duke njohur kështu jo vetëm dijen e tij, por edhe aftësinë për ta transmetuar atë me cilësi dhe përkushtim tek brezat.

Tjetër vlerësim me peshë është titulli “Ambasador i Paqes”, i cili flet për dimensionin human dhe rolin në promovimin e harmonisë, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Ky titull nuk jepet vetëm për arritje profesionale, por për ndikim të gjerë në jetën shoqërore, duke e vendosur Isuf Shehun në radhën e atyre që ndihmojnë, për shoqëri më të qetë dhe më të drejtë.

Në nivel lokal, vlerësimi ka kuptim edhe më të thellë. Me rastin e 100- të vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe në Ishëm, Isufi u nderua me titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna Ishëm. Kjo mbetet nga nderimet më domethënëse për një individ, sepse vjen nga vetë komuniteti, që ka shërbyer për dekada me radhë. Është shprehje mirënjohjeje e drejtpërdrejtë nga njerëzit, që e njohin më mirë dhe kanë përfituar drejtpërdrejtë nga puna e tij.

“Mësuesi i Vitit 2011” nga Drejtoria Arsimore e Durrësit, është tjetër rrugëtim suksesesh për Isuf Shehun. Ky titull i është dhënë për “ndihmesë të çmuar dhe përkushtim në edukimin e brezit të ri, me dije bashkëkohore dhe vetëdije qytetare drejt një shoqërie të zhvilluar dhe europiane”. Ky vlerësim, përmbledh në mënyrë të përkryer misionin si mësues, të ndërtojë jo vetëm nxënës të ditur, por qytetarë të ndërgjegjshëm.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe titulli “Nderi i Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it”, që i është akorduar për ndihmesë në ruajtjen dhe transmetimin e vlerave historike dhe patriotike tek brezat e rinj. Ky vlerësim tregon dimension tjetër të angazhimit të tij, lidhjen e fortë me historinë dhe përpjekjen për të mos lejuar që ajo të harrohet.

Këto vlerësime nuk janë thjeshtë listë nderimesh, por pasqyrë e një jete të mbushur me punë, sakrificë dhe përkushtim. Ato tregojnë, se kur njeriu punon me ndershmëri dhe dashuri për atë që bën, mirënjohja vjen vetë, e qetë, e natyrshme dhe e merituar.

Familja vatër e përbashkët e dijes

Në jetën e Isuf Shehut, familja nuk është vetëm hapësirë private, por vazhdimësi e natyrshme e misionit. Ajo përfaqëson model të rrallë në shoqërinë shqiptare. Një familje ku arsimi nuk është zgjedhje individuale, por traditë, kulturë dhe mënyrë jetese e përbashkët. Familja Shehu është kthyer në një “institucion të vogël arsimor”, ku vlera e dijes kalon nga një brez në tjetrin.

Vetë Isuf Shehu, si figurë qendrore e kësaj familjeje, ka qenë shembulli më i gjallë i përkushtimit ndaj arsimit. Por ajo që e bën këtë histori të veçantë, është fakti se ky përkushtim nuk ka mbetur i izoluar tek ai, por është shndërruar në një frymë familjare. Bashkëshortja, Bashkimja, ka qenë po ashtu e lidhur ngushtë me fushën e arsimit, duke ndarë të njëjtin respekt për dijen, për edukimin dhe për formimin e brezave të rinj.

Ky unitet profesional dhe shpirtëror, ka krijuar një mjedis familjar, ku arsimi nuk shihet si punë e zakonshme, por si mision i përbashkët. Në një shtëpi të tillë, diskutimet për shkollën, nxënësit, edukimin dhe kulturën nuk janë episodike, por pjesë e përditshmërisë. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në formimin e fëmijëve.

Të tre fëmijët e familjes Shehu, kanë ndjekur të njëjtën rrugë, atë të arsimit dhe të dijes. Nuk e kanë parë profesionin e prindërve si presion, por si frymëzim. Të rritur në mjedis ku libri, shkolla dhe përgjegjësia qytetare janë vlera themelore, kanë zgjedhur natyrshëm të vazhdojnë këtë traditë, duke u bërë pjesë aktive e sistemit arsimor.

Duke përfshirë edhe bashkëshorten e njërit prej djemve, bëhen gjashtë anëtarë të kësaj familjeje, të jenë përfshirë në fushën e edukimit. Ky është fenomen i rrallë shoqëror, që tregon jo vetëm vazhdimësi profesionale, por edhe kulturë të thellë familjare të përkushtuar ndaj dijes.

Tjetër element domethënës është fakti tjetër, se asnjë anëtar i familjes nuk ka emigruar. Në kohën kur emigracioni ka prekur shumë familje shqiptare, familja Shehu ka zgjedhur të qëndrojë dhe të japë ndihmesë në vendin e vet. Kjo zgjedhje nuk është rastësore, por shprehje e një ndjenje të fortë përgjegjësie ndaj komunitetit dhe Atdheut.

Në familje Shehu, suksesi nuk matet vetëm me arritjet vetjake, por me ndihmesën kolektive në shoqëri. Çdo anëtar i saj, është hallkë e një zinxhiri të përbashkët, ku qëllimi kryesor është edukimi dhe përmirësimi i brezave. Ky unitet i rrallë, e bën familjen Shehu model të veçantë në shoqërinë lokale.

Familja Shehu, përfaqëson më shumë se një histori suksesi. Mbete shembull i gjallë, se si dashuria për dijen, kur kultivohet me përkushtim dhe qëndrueshmëri, mund të shndërrohet në trashëgimi të qëndrueshme shoqërore. Dhe në këtë trashëgimi, Isuf Shehu qëndron si themeluesi dhe frymëzuesi më i rëndësishëm.

I gjithkohshëm mësues i jetës

Jeta dhe veprimtaria i Isuf Shehut, nuk është vetëm biografia i një mësuesi apo drejtuesi shkolle. Mbetet portreti i njeriut, që e shndërroi jetën në shërbim të dijes dhe vlerave të qëndrueshme njerëzore. Jetë e tillë, nuk matet vetëm me vite pune apo tituj të fituar, por me gjurmën që lë në ndërgjegjen e një komuniteti.

Isuf Shehu është nga ata njerëz, që nuk kanë kërkuar kurrë të jenë në qendër të vëmendjes, por në mënyrë të natyrshme janë bërë qendër referimi për të tjerët. Në çdo periudhë të jetës, si nxënës, student, mësues, drejtor, ndihmës gjyqtar, organizator apo qytetar aktiv, ka ruajtur të njëjtin bosht, ndershmërinë, përkushtimin dhe respektin për njeriun.

Trashëgimia më e madhe që lë pas, nuk është materiale, por njerëzore dhe arsimore. Janë mjaft nxënës që mbajnë në vetvete pjesë të mësimeve të tij. Janë kolegë që kanë mësuar prej tij standardin e punës dhe korrektësinë profesionale. Janë familje dhe qytetarë, që kanë gjetur tek ai mbështetje, këshillë dhe shembull.

Në një shoqëri ku vlerat ndryshojnë shpejt dhe modelet zbehen, figura e Isuf Shehut mbetet pikë e qëndrueshme orientimi. Kjo dëshmon, se suksesi i vërtetë nuk qëndron në famë, por në ndikim, jo në zhurmë, por në vazhdimësi, jo në përfitim personal, por në shërbim ndaj të tjerëve.

Edhe në moshën e tretë, kur shumëkush mbyll kapitujt e veprimtarisë, Isufi vazhdon të hapë të rinj. Vazhdon të mësojë, të këshillojë, të marrë pjesë, të organizojë dhe të jetë i pranishëm. Kjo energji e pandërprerë, është dëshmi se misioni i tij nuk ka fund të përcaktuar.

Isuf Shehu, nuk është vetëm figurë e së kaluarës së arsimit në Ishëm. Mbetet prani e gjallë e së tashmes dhe kujtesë e vlefshme për të ardhmen. Në të qëndron shembulli i mësuesit që nuk kufizohet në mësimdhënie, i drejtuesit që nuk kufizohet në administrim dhe i qytetarit, që nuk kufizohet në jetën private.

Ky rrëfim është më shumë, se një nderim. Është homazh për një mënyrë të jetuari, ku puna, ndershmëria dhe dashuria për njerëzit, bashkohen në tërësi të vetme. Dhe në këtë tërësi, Isuf Shehu mbetet emër që nuk shuhet lehtë, sepse është i lidhur ngushtë me kujtesën, identitetin dhe ndërgjegjen e një rrethi të shtrirë njerëzish.

Parë kështu, Isuf Shehu nuk është vetëm mësues i fizikës, por mbetet mësues i gjithkoshëm i jetës.

Bujar Qesja
Durrës: 28 prill 2026