Zbardhen emrat e personave të arrestuar në flagrancë në Durrës në sajë të operacionit të koduar “Nënkalimi”.

Mësohet se në pranga kanë përfunduar shtetasit Arian Plaku, Edmond Gjyzeli, Ilir Peraj dhe Stavri Marku.

Sipas njoftimit të policisë, blutë e qytetit fillimisht kanë ndaluar mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin Edmond Gjyzeli dhe pasagjer shtetasin Arian Plaku dhe gjatë kontrollit në pjesën e poshtme të sediljes gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik, Gjyzelit iu gjet në brez një armë zjarri pistoletë me 14 fishkë.

Ky shtetas, gjatë ndalimit të mjetit nga forcat e Policisë, ka goditur automjetin e agjentëve të Forcës së Posaçme Operacionale me automjetin e tij dhe gjatë arrestimit, ka tentuar të nxjerrë nga brezi armën e zjarrit.

Gjithashtu, në vijim të operacionit dhe mbajtjes nën vëzhgim nga agjentët e Forcës Operacionale në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Ilir Peraj, 52 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja” dhe “Mbajtja e ambienteve për prostitucion” dhe Stavri Marku, 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi janë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 1 armë zjarri pistoletë me 14 fishekë, 4 aparate celular dhe 2 automjete.