Në vitin 2100 popullsia e botës do të jetë rreth 10 miliardë banorë. Të paktën kështu del sipas llogaritjeve të bëra nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Po krahas rritjes shumë të madhe të popullsisë bota do të jetë shumë më ndryshe nga ç’është tani.
Duke qenë se deri pas rreth 90 vjetësh rezervat e naftës, gazit natyror dhe qymyrit do të jenë ezauruar thuajse plotësisht energjia ujore dhe ajo e rinovueshme do të jenë alternativat zëvendësuese për banorët e së ardhmes.
Nga ana tjetër ëndrra e vjetër e njeriut për të pasur një jetëgjatësi sa më të lartë do të realizohet. Ndërsa në kohën tonë jetëgjatësia mesatare e banorëve të planetit është 68 vjeç, në 2100 do të jetë jo pak, por 81 vjeç.
80% e banorëve të planetit do të jetojnë në qytet. Bota do të ketë shumë qytete të rinj dhe mega-qytete me popullsi mbi 20 milionë banorë. Kandidatët për mega-qytete janë Pekini, Delhi, Xhakarta, Meksiko Siti, Mumbai, Sao Paulo dhe Shangai. Ndërkohë megjithëse asnjë prej këtyre megaqyteteve nuk është anglishtfolëse, në vitin 2100 anglishtja do të flitet nga një numër edhe më i madh njerëzish sesa në ditët e sotme.