Pas 18 vitesh në futbollin profesionist, kapiteni kampion i Teutës, Renato Arapi, tërhiqet nga futbolli aktiv. Mbrojtësi 35-vjeçar është përshëndetur me shokët e skuadrës dhe nga sezoni i ri nuk do të jetë aktiv në fushat e futbollit si profesionist. Arapi e ka menduar gjatë dhe pas një sezoni fantastik me skuadrën e zemrës, ku u shpall kampion dhe ku kaloi për herë të parë 2 ture në Evropë me Teutën, vari këpucët në gozhdë. Arapi e nisi karrierën me moshat e Teutës, për të kaluar më pas te Dinamo, ku debutoi në Superiore në sezonin 2002-2003.

Mbrojtësi fitoi 6 tituj kampionë radhazi me Skënderbeun, si dhe një me Teutën si kapiten. Shtatë tituj kampionë dhe plot kupa e superkupa, e bëjnë Renato Arapin futbollistin me më shumë trofe në Shqipëri.Gjithashtu në futbollin shqiptar ikona e futbollit durrsak është aktivizuar edhe me Partizanin, Besën dhe Erzenin, ndërsa provoi edhe dy aventura jashtë vendit, me Silkeborg në Danimarkë dhe Boluspor në Turqi. Gjithashtu, Renato Arapi u aktivizua rishtaz me ekipet kombëtare, teksa me ekipin e parë zbriti në fushë në 4 takime.