Nga BUJAR QESJA

Kisha këto ditë mik në vëndin tim të punës, Pavlinin, djalin e Jorgo Gjinit. E di si më tha:

-Më telefon babai për çdo ditë, e më thotë çfarë ka shkruar Bujari sot? Shkrimet e tij na lidhin me Durrësin, me njerëzit e tij të gjallë dhe që nuk jetojnë. Dhe qajmë me lotët e mallit dhe të kujtimeve të hershme, por të paharruara.

Dhe kur shkruaj dhe kur hedh fjalë dhe unë të lyera me lot malli dhe sentimenti, kam parasysh të gjithë. Së pari ato durrsakë të vjetër si Jorgo Gjini që jetojnë jashtë Atdheut dhe së dyti për të gjithë të tjerët, për të qenë dhe mbetur gjithnjë në skalionin e parë të mos harresës, veçanërisht për ato që i kanë dhënë aq shumë Durrësit, pa asnjë interes. Ajo që vlen të nënvizohet është përpjekja e tyre, për të evidentuar qytetarinë, moralin e pastër dhe të pacënuar, dëshirën dhe pasionin për të dhënë më të mirën dhe kjo e pakushtëzuar nga mosha.

Në foton që prezantoj janë katër burra të mëdhenj të sportit, katër njerëz të çmuar dhe shumë të njohur të Durrësit, katër qytetarë që kanë rrezatuar shumë kulturë, me një komunikim që nuk e hasim lehtë sot. Kur e shikoj foton, më duket se fillon të bisedoj me këto katër kapituj të formatuar në përmasa të tilla, që koha sado që kalon ua ngren emrin dhe autoritetin njerëzor.

Është një nga aktivitetet e shpeshta, që bëheshin në kohën kur jetonin këto katër burra. Një garë veteranësh të sportit dhe të notit, që ndiqeshin me kërshëri nga i gjithë qyteti. Dhe ky qytet i kishte sytë për mjaft çaste, pikërisht tek këto katër burra, pasi këto të katër punuan tërë jetën për këtë qytet, duke e përfaqësuar me personalitet dhe me maksimumin e forcave morale dhe fizike.

Në pamje janë fiksuar Dilaver Cara, Raq Manushi, Mirban Kadiu dhe Koço Afezolli. Hajde katërshe, hajde! Si i ka bashkuar momenti? Sa vlerë ka tani kjo pamje. Dhe mund të ketë mbi 20 vite, që është në freskinë e kujtimeve të mia. Emra simbol. Përfaqësim maksimal qytetar. Mburrja dhe pasqyra e jonë.

Sotiraq Manushi

Një burrë simpatik, ku më parë të qeshte me zemër e më pas me fytyrë. Një nga sportistët më të spikatur në historinë e sporteve të Durrësit. Provoj të konkuroj në patinazh, në not, në hedhje nga trampolina, në gjimnasitë, për të bërë emër dhe histori në atletikë dhe futboll.

Madje ky Manush në atletikë, ishte i pari në Shqipëri në vrapimin e 200 metrave, kur sapo kishte mbushur 16 vjeç dhe e përsërit këtë sukses por në 100 metra në vitin 1950. Është kampion edhe në kërcimin së gjati. Ndërsa në futboll luajti me emra të njohur të futbollit kombëtar dhe lokal. Filloi të luajë në Tiranë në fillim të viteve 40-të, për të krijuar një miqësi të qendrueshme me Selman Stërmasin, Osman Reçin, Haxhi Arbanën, Adem Karapicin, Rexhep Spahiun, Besim Boriçin etj.

Ndonëse në moshë fare të njomë, Manushi mësoi dhe u edukua me lojën e futbollistëve të njohur të para luftës si Rrugia, Gjiri, Sallata, Tati, Taratari, Jeremiqi, Haçkovia, Hajdari, Pasha, Thërmia, për tu bërë bashkë lojtarë me Qemal Voglin, Skënder Jarecin, Mile Qoshen, Abdulla Dumën, Met Myshkun, Shyqyri Hasën, Taq Muratin, Niko Bespallën, Mikel Mukën, Raqi Piskun, Ali Zallën, Zyhdi Rulin, Teli Cikon, Nikolla Çetën, Mustafa Saraçin, Taq Muratin, Thoma Thimjon, Nysret Shytin, Zyhdi Dajën etj.

Manushi ynë shkëlqen tek çfaqet tek ekipi B i Shqipërisë, kur luan kundër ekipit “Krahët e Sovjetëve”, “Dinamon” e Bukureshtit dhe “Dozha” i Budapestit. Futbollistë të tjerë të ekipit ishin të mirnjohurit Boriçi, Biçaku, Bonati, Parapani, Mirashi, Baçi dhe Dibra. Giacomino Poselli, Muhamet Dibra, Rexhep Spahiu, Bimo Fakja, Sllave Llambi, Bahri Kavaja, Raq Manushi, Qamil Teliti, Loro Boriçi, Vasip Biçaku, Aristidh Parapani! Ky ishte formacioni i ekipit kommbëtar të Shqipërisë në vitin 1947, ku përfshihet edhe 18 vjeçari Raq Manushi i Durrësit.

Raq Manushi mbetet një figurë popullore në Durrës, nga demostrimi i një kulture qytetare të nivelit nderues, nga angazhimi cilësisht në sporte, nga dhënia futbollit durrsak të të dy djemëve të tij Ledi dhe Dhimitër Manushi, nga qendresa prej një burri të rrallë persekucionit ndaj një sistemi ngacmues. Na dhëmb në shpirt kur kujtojmë ditën e 28 janarit 2009, ditë kur e ndali frymëmarrjen por jo kujtesën.

Koço Afezolli

Në këtë fillim korriku 2021, u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”. Afezolli mbajti rekordin që ndonëse në moshën 87 vjeçare, nuk iu nda ujit. Ndershmëria dhe pasioni, e bënë që të kryej me nder detyrën e gjytarit në veprimtaritë kombëtare. I përjetonte, deri në dhimbje largimin e shokëve të tij nga jeta. Kështu ndodhi me stilistin e krrolit, të mirin Eqerem Korra, me shokët dhe miqtë e hershëm Vlash Dhima, Kristaq Bekridheli i madh, motra e tij që shkriu rininë për notin Luçi Bekridheli, trajneri i shkëlqyer Sul Tufa, dy vëllezërit Kapexhiu Shaqiri dhe Sabriu, dinastinë Rexha, me Osmanin, Shuapin, Dautin dhe Rasimin, Gafur Hasnedari, Bashkim Dakoli e tani së fundi Skënder Kurani, Xhevdet Mitraku, Arben Rrogozhina, Fatmir Muratin etj.

Notar, trajner, punonjës shembullor, seleksionist, njeri i falur ndaj notit, krijues i Shoqatës së Veteranëve të Notit Kombëtar, mik dhe shoku i afërt, kështu do ta mbajmë mënd gjithnjë Koço Afezollin. Ai u lind në vitin 1931 dhe u nda nga jeta me 25 janar 2018. Iu përkushtua stilit shpinë, për t’ia mësuar këtë mënyrë notimi edhe djalit të tij Spartakut, duke u bërë babë e bir dyshja e paharruar e shpinës durrsake.

Mirban Kadiu

Lindja e tij me 11 janar të vitit 1931, është mjaft origjinale dhe e pashembullt. I jati i Bonit, kishte dëshirë që fëmija e tij të dilte në jetë në Durrës. Bie dakort që e shoqja të nisej nga Italia për në Durrës. Por në mes të detit, por edhe në pjesën shqiptare të Adriatikut, dëgjohen të qarat e një fëmijë.

Ky do të ishte i mirnjohuri i notit durrsak, njëri nga më të dalluarit e tij Mirban Kadiu. Kadiu gëzon një popullaritet të pazakontë në Durrës. Ishte natyrë hokatare, shumë i qeshur dhe organizator i mjaft nismave në favor të notit durrsak dhe atij kombëtar. Pasi shkëputet si sportist ka punuar si trajner për 10 vite në Qendrën Kulturore për Fëmijë.

Eshtë vlerësuar nga qyteti i Durrësit “Notari më i mirë i shekullit”.1998-2016, Notari më i mirë në kampionatet kombëtare të notit për veteranë.

1962-1974- Vlerësuar nga Ministria e Kulturës dhe Komitetit Shtetëror i Sporteve si “Notari më i mirë i viteve të pas çlirimit”.

1974 Medalja “Naim Frashëri” me rastin e 30-vjetorit të çlirimit.

2003, Medalje “ Ari” dhënë nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve.

2003, Diplomë e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar akorduar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për kontributin e dhënë në sport.

2006, Flamuri dhe kupa mbarëkombëtare për moshat e treta, Prishtinë.

30 gusht 2012, Boni legjenda e notit shqiptar.

15 dhjetor 2012, Organizohet Kupa Mirban Kadiu.

Fitues i të gjitha garave “Festa e Detit”

Është notari, i cili arriti 13 herë normën e mjeshtrit të sportit.

Notari i vetëm shqiptar, që fitoi në një kampionat 7 medalje të vendeve të para (në vitin 1956). Federata Shqiptare e Notit, disponon dokumente në të cilat konfirmohet se Mirban Kadiu, është notari i talentuar dhe fitues absolut në garat 200, 400, 800, 1500 m stil i lirë dhe në shumëgarësh 3×100 metra.

Në moshën 70 vjeçare, në pishinë të mbyllur, arrin të përshkojë 25 metrat me kohën 24 sekonda, që i takon kategorisë master.

Për moshën 75 vjeçare, me kohët e shënuara në distancat e shkurtra, renditet në vendin e gjashtë në botë për moshën.

Duke qenë një nga 10-15 sportistët më të mirë në botë për sportin e notit në vitin 2016, vlerësohet me “Medalje e Karrierës” dhe çmimin “Notar i cilësisë të lartë” me Mirënjohje nga Presidenti i FSHN-së Agim Çiraku.

Është ndarë nga jeta me 28 nëntor 2018.

Dilaver Cara

Ai që plotëson katërshen e fotos, është një tjetër emër i famshëm i sporteve të Durrësit. Është i madhi Dilaver Cara. Ai u lind në Durrës me 30 shtator të vitit 1929 dhe jetoi 77 vite, duke u ndarë nga ne me 15 korrik 2006. E veçanta e tij është se për herë të parë në gjykimet e volejbollit shqiptar, ka arbitruar një takim ndërkombëtar volejbolli në Izrael. Politika shqiptare në atë kohë, nuk kishte marrdhënie diplomatike me Izraelin.

Por Dilaver Cara është një polisportist i vërtetë. Atlet, volejbollist, trajner, mësues i edukimit fizik, kuadër drejtues në klubin sportiv “Lokomotiva”, organizator i pazakontë i veprimtarive fizkulturore sportive. Cara mbetet një monument i përfaqësimit më të shkëlqyer të sportit durrsak. Një njeri i madh, me një emër të madh.

Sotiraq Manushi, Dilaver Cara, Mirban Kadiu dhe Koço Afezolli. Një kuartet që luajti në mënyrë të përsosur, melodinë tingëlluese të simfonisë së sporteve të Durrësit, duke bërë që edhe sot kjo melodi të dëgjohet, po me aq bukuri dhe ëmbëlsi si më parë.

T’i kujtojmë, e t’i qendrojmë afër mos harresës së tyre. Punuan për ne, për autoritetin dhe kryelartësinë e sportit durrsak në përmasa lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ne na takon t’ua kthejmë me të njëjtën monedhë:

T’u jemi mirnjohës, njëmijë herë mirnjohës, duke nënshkruar pavdekësinë e tyre.