Paraditen e sotme, kjo pikë e grumbullimit të mbetjeve urbane në rrugën “Vëllazërimi” në zonën e ish-Kënetës ishte e tejmbushur me plehra. Po ndërsa kazanët ishin thuajse bosh, hapësira rreth e qark ishte e mbushur me mbeturina të gjithëfarëlloji.
Pak më larg, ndodhen pirgje me inerte dhe një kazan mbeturinash i dëmtuar. që nuk e kryen më funksionin e tij.
Pavarësisht se në këtë venddepozitim ndodhen 5 kazanë mbeturinash, sasia e mbetjeve jashtë tyre e kalon me disa herë sasinë e plehrave të hedhura brenda kontejnerëve.
Sipas banorëve, situata mjedisore është e rënduar nisur nga temperaturat e larta apo kafshët e ngordhura që hidhen aty. Ata e drejtojnë gishtin edhe nga punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal, që sipas tyre nuk i tërheqin rregullisht.
Në disa raste, papërgjegjshmëria e qytetarëve e rëndon edhe më shumë situatën, sepse jo të gjithë banorët, që i sjellin mbeturinat me karrocë i hedhin brenda kazanëve. Nga komunikimi me Ndërmarrjen e Shërbimit Komunal mësojmë se në disa raste janë vetë banorët që kontribuojnë drejtpërdrejtë për të shtuar ndotjen mjedisore në venddepozitime të ndryshme në qytet.



Aktualisht vetëm 10 pika të grumbullimit të mbetjeve urbane monitorohen me kamera dhe në rast shkeljesh Policia Bashkiake ka vendosur masa administrative ndaj qytetarëve apo subjekteve, që shkaktojnë ndotje mjedisore.
M.B.





