Zhvillohet mbledhja jashtë rradhe e Këshillit Bashkiak Durrës, ku u miratuan në unanimitet 3 projekt-vendimet e përfshira në rendin e ditës.

Këshilli Bashkiak Durrës miratoi me 37 votat e këshilltarëve të pranishëm dhënien e titullit “Qytetar Nderi” aktorit Mirush Kabashi (pas vdekjes). Ceremonia në fjalë do të mbahet pasditen e së mërkurës, në orën 17.00, në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Data 17 prill përkon me 76-vjetorin e lindjes të mjeshtrit të madh të skenës.

Ndërkohë, një tjetër pikë e rendit të ditës lidhej me miratimin e propozimit të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës për t’u vendosur emrat e dy policëve që kanë humbur jetën në krye të detyrës, dy rrugëve të qytetit bregdetar.

Emrin e ish-drejtorit të policisë së qarkut Vlorë Artan Cuku, i cili u vra pranë shtëpisë së tij në Tiranë më 8 prill 2017 do ta mbajë një degëzim i rrugës “Karl Topia”, ndërsa emrin e policit Kastriot Aliaj, i ndarë nga jeta më 11 shkurt 2010, i goditur nga një automjet në rrugën Tiranë Durrës do ta mbajë një degëzim i rrugës “Sefer Efendiu”.

Gjatë mbledhjes, këshilltarët bashkiakë miratuan listën me emrat e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllokndihmën ekonomike deri 6% dhe fondi i të ardhurave të bashkisë Durrës, për muajin mars 2024.