Anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi ka denoncuar këtë të dielë, drejtorin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Blendjan Dalipi se ka përfituar tendera dhe koncesione me vlerë 30 milionë euro.

Në një deklaratë për mediat, Këlliçi deklaroi se drejtori i OSSH ka vjedhur po aq lekë sa u deklarua nga Balluku se do të kursejnë shqiptarët me uljen prej 1 lekë të çmimit të energjisë.

Sipas tij, ashtu si në rastin e 5D, po ndodh edhe në Ministrin e Belinda Ballukut, pasi nëse do ishte ndryshe, Këlliçi shprehet se “Blendjan Dalipi, pasi të ishte shkarkuar nga detyra, sot do duhej të ishte dorëzuar pa kushte para institucioneve të drejtësisë dhe jo të qëndronte i ulur në rreshtin e parë, përballë Kryeministrit”.

“Gjatë momentit të shpalosjes së këtij sihariqi dhe akti të madh bamirësie elektorale, përballë Edi Ramës, i ulur në rreshtin e parë, qëndronte Blendjan Dalipi, Drejtori i Përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes OSSH, i cili nëpërmjet kompanisë së tij familjare IDK Konstruksion dhe kompanisë së tij personale ABNID, ka përfituar tendera publikë e kontrata konçensionare, vlera e të cilave i kalon 30 milionë eurot. Si për ironi të fatit, po aq sa kursimi i trumbetuar për uljen qesharake prej 1 lek të çmimit të energjisë. Ja pra ku ka shkuar ai 30 milionsh shqiptarë të dashur”, – denoncoi Kelliçi.