Kthimi i bulevardit “Epidamn” në pedonale është mirëpritur nga qytetarët. Për më nostalgjikët, kjo pedonale i kthen pas në kohë, shumë vite më parë, kur kryenin xhirot e famshme dhe madje lindnin edhe dashuritë e para.

Për më të rinjtë, ndalimi i qarkullimit dhe parkimit të mjeteve nga ora 18.00-23.00 është një mundësi më shumë për qytetarët të shijojnë hapësirat publike pa smogun dhe zhurmat e automjeteve.

“Na kujton traditën e vjetër, kur vinim me biçikleta. Madje edhe me biçikleta nuk na linin, e mbanim biçikletën në dorë. Është gjë e bukur”.

“Unë vij nga Italia, kështu që mua më duket shumë bukur”.

“Ne kënaqemi sepse makinat e tepërta na pengojnë, edhe monopatinat janë edhe më të rrezikshme. Këtu jam fejuar unë, në këtë bulevard. Pashë bashkëshortin tim, ai më pa mua, se kështu ishte koha atëherë”.

“Kam një vit që nuk kam ardhur në Shqipëri. Kur kam qenë vitin e kaluar ka pasur plot makina. Tani kalamajtë ecin pa frikë, shumë ide e bukur.”– thonë disa nga qytetarët për “DurrësLajm”.

Po nuk janë vetëm qytetarët e Durrësit që e pëlqejnë bulevardin në këtë formë. Edhe për të huajt, kthimi i qendrës historike në pedonale është një mundësi më shumë për të eksploruar qytetin 3000-vjeçar.

“Është koha e duhur. Kanë bërë një punë të mirë, sepse tek ju shoferët shpejtojnë, nuk ecin me makinë.”

“Shumë bukur këtu. Jemi prej pak orësh këtu dhe po e shijojmë shumë shëtitjen në qytet dhe më pas do të zgjedhim ndonjë restorant për të darkuar”.

“Kemi ardhur nga Roma për të kaluar pushimet këtu. Po kalojmë shumë bukur, na kanë folur shumë mirë për Durrësin, një qytet që po zhvillohet e ku po investohet shumë. Na duket shumë bukur këtu”.

Përgjatë muajve korrik dhe gusht, bulevardi “Epidamn” do të jetë i mbyllur për automjetet gjatë orëve të pasdites dhe darkës. Masa e marrë nga autoritetet vendore ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve, por edhe të vizitorëve dhe turistëve të shumtë që vijnë në Durrës për të kaluar pushimet verore.

M.B.