Policia e Durrësit ka ndëshkuar sot me dhjetëra drejtues mjetesh, të cilët i kishin parkuar automjetet para garazheve të pallateve ku banojnë.

Aksioni i policisë është përqendruar pasditen e sotme në lagjen nr.1. Për shumë qytetarë, ky aksion i bluve të Durrësit ka qenë i pakuptimtë, për më tepër që janë ndëshkuar sepse e parkojnë automjetin në sheshin para pallateve të tyre.

“Jam banor i kësaj lagjje. Ka ardhur policia para gjysëm ore dhe makinës time i kanë vendosur gjobë para garazhit. Unë s`di ku ta lë makinë, para garazhit do ta lejë. Nuk e di motivin, është absurditet, nuk është e drejtë.”

“Nuk arrij ta kuptoj arsyen. Ata vetëm na vendosin gjoba te dera e shtëpisë. I vendosin vetëm për të marrë rrogat e tyre, nuk e di çfarë arsye kanë. Duan të nxehin këtë milet”.

Në momentin që po vija nga puna, gjeta policinë këtu duke vendosur gjoba. Këtu nuk ka tabela nga bashkia. Donin të më vinin gjobë dhe mua që isha në makinë.”,– shprehen banorët.

Në po këtë lagje, në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne 5 automjete pësuan dëme të mëdha materiale, sepse ndërsa ishin të parkuara u përplasën nga një shtetas italian që udhëtonte me shpejtësi të madhe.

Ky nuk është i pari aksident në këtë vend. Qytetarët nuk po dinë nga të ruhen më parë; nga drejtuesit e mjeteve që shkelin Kodin Rrugor apo nga policia që i gjobit para pallateve të tyre.