Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë, me mbështetjen te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 37 vjeç, banues në fshatin Peraj, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. N., 55 vjeç, banues në fshatin Kotec.

Në aksin rrugor “Bajram Curri-Lekbibaj“, nga kontrolli në automjetin që drejtonte 37-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi N. N., u gjetën 126 gramë lëndë narkotike cannabis sativa që ishte ndarë në sasi më të vogla, dyshohet me qëllim shitjen në zonën e Fierzës. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin tip “Nissan” dhe me 4 celularë.

Ndërkohë komisariati i Policisë Tropojë arrestoi në flagrancë shtetasin M. H., 63 vjeç, banues në fshatin Kovaçe, pasi ka dhunuar ish-bashkëshorten e tij.

Materialet procedurale për të dyja rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës.