Teuta është e “dënuar” të fitojë ndaj Bylisit, pasi kërkon me çdo kusht të reflektojë pas humbjes me përmbysje ndaj Laçit. Mbrojtësi i Teutës, Blerim Kotobelli, para ndeshjes së javës së 29-të ndaj Bylisit, u shfaq optimist, teksa theksoi se është momenti për t’u rikthyer të rezultatet e duhura.

Mendoni se e keni forcën t’i jepni fund humbjeve në ndeshjen e radhës?

Shpresoj që çështjen e humbjeve ta zgjidhim të shtunën. Kemi punuar fort gjatë gjithë këtyre ditëve, sidomos në daljet e shpejta dhe goditjet në portë. Është vetëm një moment psikologjik dhe nesër detyrimi ynë është vetëm të fitojmë. Na mungon rezultati, prandaj do ta quaja kthesë fitoren e nesërme. Çunat kanë luajtur çdo ndeshje mjaft mirë. Fati nuk ka qenë me ne, por mendoj se kthesa nesër do të vijë me patjetër.

A jeni të rënduar psikologjikisht?

Nuk e shoh të rënduar psikologjikisht ekipin. Normal që rezultatet të vendosin përpara përgjegjësie, por djemtë e kuptojnë dhe kanë dëshirë të japin çdo ditë e më tepër në stërvitje. Ekipi punon me më shumë dëshirë, pasi e shohin që kemi luajtur mirë, pavarësisht rezultateveqë nuk i kemi pasur të mira. Së bashku me mua, kemi besim tëgjithë bashkë se do t’ia dalim dhe do të rikthejmë rezultatet pozitive.

Përveç faktit që nuk po shënoni rregullisht, si ndikon fakti që pësoni lehtë?

Ne mbrojmë dhe sulmojmë të gjithë, nuk dua të fajësoj asnjë për mungesën e golave. Nuk është defekt i vetëm një reparti, kemi pësuar shumë në mbrojtje, por kjo vjen edhe nga mungesat në këtë repart. Në shumë javë s’kemi qenë kurrë të plotë. Gjithë ekipi duhet të zhbllokojë rezultatin dhe të mbrojmë së bashku.

Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Bylisit?

Normale që do të jetë një sfidë e vështirë, por për ne është ndeshja e radhës. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet dhe shpresoj që kësaj here t’ia dalim mbanë.

Si e shini Bylisin e këtij sezoni?

Jemi të vetëdijshëm se është një skuadër që ka bërë mirë. Janë të fortë dhe kanë në përbërje elemente cilësorë. Por në kemi objektivat tona dhe do të synojmë më të mirën.