Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me një letër Bashkisë së Durrësit, ku i kërkon më shumë informacion lidhur me pretendimet e ngritura nga partitë PD dhe LSI se Bashkia Durrës ka paraqitur për miratim në Këshillin Bashkiak vendimin për miratimin e listës për 526 familje që përfitojnë nga programi i procesit të rindërtimit, për ndërtesat e dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019 shuma që variojnë nga 100-500 mijë lekë.

KQZ ka dyshime se këto fonde janë përdorur për qëllime elektorale të zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar Bashkie të datës 6 mars 2022. “DurresLajm” ishte i pari që publikoi lajmin se bashkia u kujtua të miratonte listën e 13-të të dëmshpërblimeve 10 muaj pas miratimit të listës së 12-të, si dhe emrat e 526 përfituesve.

“Të na jepet një shpjegim në lidhje me procedurën që është ndjekur dhe nëse kjo procedurë vjen në kundërshtim me parashikimet e neneve 91 dhe 92 të kodit zgjedhor që ndalojnë nxjerrjen e akteve ligjore që kanë për qëllim të ofrojnë shpërblime për kategori të caktuara të qytetarëve.

Për sa më sipër kërkojmë nga ana juaj një informacion të detajuar mbi vendimmarrjen e prenteduar nga kërkuesi, brenda 3 ditëve nga marrja dijeni e kësaj shkrese”, thuhet në shkresën që mban firmën e kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi.

KQZ vendos afat tre ditë për marrjen e informacionit nga momenti i vënies në dijeni me shkresën.