ANGLI Policia britanike do të dalë me një raport zyrtar lidhur me akuzat për abuzime të ish-drejtuesit të lartë të BBC-së, Jimmy Savile. 

Mediat britanike shkruajnë se në raport thuhet se në karrierën e tij 40-vjeçare si DJ dhe drejtues i emisioneve të tjera televizive në gjigantin mediatik britanik, mbi 500 fëmijë dyshohet të jenë viktimë e abuzimeve seksuale të Savile.

Në raportin prej 30 faqesh të policisë metropolitane angleze thuhet se në të paktën 30 raste abuzimi, viktima të Savile kanë qenë fëmijë nën moshën 10-vjeçare, ndërsa pjesa më e madhe e viktimave varion nga 14 deri në 18 vjeç.

Shumë prej abuzimeve të Savile kanë ndodhur në ambientet e BBC-së, të tjera në spital apo edhe në institucione rieduktimi ku Savile zhvendoste emisionet e tij, “Jim’ill Fix It” dhe “Top Of The Pops”. Ai vdiq në vitin 2011 në moshën 84-vjeçare. 

Zërat e parë se Savile kishte abuzuar seksualisht me fëmijë përgjatë gjithë karrierës bëri që shumë prej viktimave të tij të dalin e të rrëfejnë historitë e tyre tronditëse. Skandali pa në pak muaj të rrëzohej një prej figurave që konsiderohej ikonë në historinë e televizionit dhe radios në Britani.

Për disa muaj, në qendër të akuzave u vendos edhe vetë BBC për fshehje të krimeve të star-it të saj. Akuzat pasuan me ndryshime thelbësore në postet drejtuese të gjigantit të medias botërore.