Detaje të reja zbardhen nga dëshmia e shitëses së argjendarisë së grabitur pasditen e sotme, në lagjen nr.4, në Durrës.

Shitësja e dyqanit, e cila ndodhej e vetme në momentin e ngjarjes, ka treguar edhe mënyrën sesi dy grabitësit janë futur në argjendari.

Ajo rrëfen se dy të rinj të moshës 20-25 vjeçare u futën në argjendari, dhe në momentin e parë ka menduar se ishin klientë, pasi ishin të pa maskuar dhe nuk ka menduar se po hynin në dyqan me qëllimin për të vjedhur.

“Mendova se ishin blerës. Në dyqan hynë dy të rinj të moshës 20-25 vjeçare, ishin veshur normalisht të pamaskuar. Njëri erdhi me kërcënoi, më vuri elektroshokun në qafë dhe më tha na jep paratë dhe mallin. U tremba dhe i thashë ‘mos më vrisni se kam fëmijë’. Më pas nuk mbaj mend asgjë, pasi rashë në tokë pa ndjenja. Nuk munda t’i ndaloj, se isha e vetme”,rrëfen shitësja e argjendarisë.

Kamerat e sigurisë në argjendari nuk ishin funksionale, dhe grabitësit kanë hyrë pa maska. Ata kanë marrë rreth 2 kilogramë flori në formë bizhuterish. Policia e Durrësit zotëron foto të dy grabitësve, falë kamerave të sigurisë së bizneseve përreth.

Uniformat blu kanë sekuestruar pamjet filmike të dyqaneve të tjera në bulevard, ndërkohë që në vendngjarje kanë gjetur shenja gishtash, që dyshohet se u përkasin dy grabitësve.

I njëjti dyqan është grabitur edhe pesë vite më pare.