Sulmi kibernetik ndaj portalit e-albania ka nxjerrë jashtë funksionit shërbimin për vërtetimin e pagesës së aftësisë së kufizuar.

Në portal njoftohet se “stafi teknik po punon për rimëkëmbjen nga sulmet kibernetike. Shërbimi do të rikthehet në funksion së shpejti.”

Mos funksionimi i këtij shërbimi penalizon prej javësh qytetarët që duhet të rinovojnë dokumentet për përfitimin e Kempit.

“DurrësLajm” ishte sot pranë qendrës shëndetësore nr.2, ku funksionon komisioni për dorëzimin e dokumentave. Prej ditësh, qytetarët bëjnë ecejakje të vazhdueshme, por mundi i tyre shkon kot.

“Kam ardhur nga Greqia për të dorëzuar dokumentet për të dy djemtë. S’kam ku t’i dorëzoj se nuk punon sistemi. Unë rri në Greqi. Kush do të më njoftojë në Greqi se nisi të funksionojë sistemi? Po vi prej 10 ditësh këtu”,- thotë një qytetar.

Një tjetër tregon se prej 7 muajsh i ka futur dokumentet, por deri tani nuk ka marrë asnjë pagesë.

“Ku do hanë këta njerëz? Kemi 7 muaj që presim. Na thonë do t’i merrni të gjitha paratë njëherësh. Ndoshta ai vdes dhe nuk i merr më! Vijmë çdo ditë për të pyetur, por asgjë”.

Një i moshuar vjen çdo ditë pranë kësaj qendre për të rinovuar dokumentet e Kempit për djalin 52-vjeçar.

“Të paktën të na jepnin një numër telefoni, ku të pyesim. Të mos bëjmë çdo ditë vajtje-ardhje”,- thotë ai.

Të shumtë janë ata që pagesën e Kempit e shohin si të vetmen zgjidhje për mbijetesë. Me lot në sy, Seit Biba na rrëfen se nuk ka me se të ushqehet.

“I kam bërë të gjitha dokumentet 2-3 muaj më parë, s’më japin Kemp. I kam bërë tek mjekja Greta Guga. Më thonë hajde në shtator, hajde në tetor. Unë jam pa bukë, po vdes rrugëve!”

Ne u interesuam pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror Durrës, ku jashtë kamerës drejtuesit e pranuan problematikën që vijon prej kohësh.

“Bllokimi i sistemit e bën të pamundur regjistrimin e personave PAK prej disa javësh”,– ishte përgjigja zyrtare që morëm, ndërsa na u konfirmua se sapo sistemi të operojë, do të punojnë edhe ditët e pushimit për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike, që prek disa nga kategoritë më në nevojë.

M.B.