Nga Gëzim KABASHI
Bashkëqytetari ynë Ruzhdi Cara më 5 tetor të këtij viti do të festojë 97-vjetorin e lindjes. I kthjellët sikur sapo ka mbushur 17 vjeç, Ruzhdiu pret e përcjell plot miq e shokë.
Ai vetë nuk del nga shtëpia që prej disa vitesh. Dita e tij, bashkë me albumet e hershme të familjes dhe shënimet e përkthimit kalon nga ballkoni, nga ku baseni i portit të Durrësit dhe kalatat e tij duken si në pasqyrë.
Kur e pyesim për shëndetin dhe memorien e hekurt përgjigjet shkurt e në mënyrë simbolike: “Nuk e njoh derën e spitalit”.
Herë pas here, me shokun tim të fëmijërisë Bilal Ballgjini shkojmë ta takojmë. Telefonatës sonë zotni Ruzhdiu i përgjigjet me të njëjtin humor: “Jam në dispozicionin tuaj nga ora 9 e mëngjesit, deri në 9 të darkës”.
Bisedat të kthejnë në vitet ’40 e ’50 të shekullit të shkuar. Është shumë bukur të bisedosh me Ruzhdi Carën, dhe gjithçka ai tregon duket sikur ka ndodhur dje.
97-vjeçari përmend emër për emër shokët e shkollës; ndryshimet pozitive në Durrrës pas tërmetit të vitit 1926; dyqanet e restorantet e qytetit; apo gjyqet e para ushtarake të diktaturës.
Gabon shumë rrallë miku ynë i moshuar dhe e kërkon me ngulm fjalën që duhet.
Dëshmitë e Ruzhdi Carës bëhen mjaft rëndësishme, kur bashkë me kolegun gazetar-operator Astrit Tahiri realizuam dokumentarët “Klerikët miq të Durrësit” dhe “Tri pasionet e mëdha të Shën Gjergjit”.
I moshuari nga qyteti bregdetar solli para kamerës ngjarjet e rinisë për regjisorin, përkthyesin dhe shkrimtarin Gjergj Vlashi, me të cilin kishin mësuar në të njejtën klasë.
Shtatë vjet më parë ai u kujton bashkëmoshatarëve të tij 75 vjetorin e maturës 1947, si dhe emrat e diplomantëve të parë të qytetit antik. Një vit më vonë ai boton një shkrim mjaft të ndjerë për mikun e tij përkthyes dhe hartues i fjalorit të madh italisht-shqip, për zt Abedin Preza.

Bisedës tashmë i është bashkuar edhe Bahri Gurabardhi, një tjetër mik i afërt i zotni Ruzhdiut.
Eri, djali i vetëm i shtëpisë na përgatit kafet, ndërsa znj Edit, bashkëshortja e Ruzhdiut, kujdeset që të ndjehemi sa më rehat. “Më thërrisni Xhixhi, siç më quajnë të gjithë – thotë ajo, ndërsa i qeshin sytë.
Pastaj kujtojmë një vëllim me poezi nga Ruzhdiu, që u botua në fund të viteve ’90. I kujtoj Zhak Prever (Jacque Prevert), poetin dhe skenaristin e shekullit të kaluar, që ai vazhdon ta përkthejë. Thuajse recitojmë me një zë “Gomari, mbreti dhe unë”, madje më shumë këndojmë se recitojmë.
Ruzhdi Cara i vlerëson miqtë. Flet pak për vete, për medalje apo për vlerësime.

Kur e ngacmojmë për sportin, Ruzhdi Cara gjen rast të flasë për vëllezërit Hamidin, Gencin dhe Selaudinin, të cilët siç ishin të lidhur me sportin kishin pasion edhe muzikën.
“Mua më pëlqente të shëtis çdo ditë, dhe për dy dekada radhazi gjatë punës si inxhinjer, kam lëvizur në këmbë në bregdet nga Semani deri në Velipojë, për të përcaktuar përqindjet minerare të rërës”.
Më i madhi ndër tre motra e katër vëllezër, fëmijët e Ali Carës, 97-vjeçari kujton me dhimmbje, se askush prej tyre nuk jeton më.
Njëlloj, siç nuk jeton askush nga shokët e shoqet e klasës së Maturës 1947 të Durësit.
Por, kur bisedojme, të duket se ata vazhdojnë të jetojnë në bisedat e bashkëqytetarëve. Falë kujtesës së 97-vjeçarit Ruzhdi Cara.






