Nga Aleksandër Cangonja

Nga hulumtimet që kam bërë në AQSH, gjeta një dokument biografi të një qytetari nga Durrësi, i cili quhej Aleks Duka. Kjo biografi ishte dërguar nga bashkëshortja e tij Vasiliqi Duka komisionit të ngritur për kremtimin e 25 vjetorit të pavarsisë. Në kuadër të këtij evenimenti i cili do ishte madhështor, komisioni kishte për detyrë evidentimin dhe dokumentimin e figurave që kishin dhënë kontribut në ç’ështjen kombëtare. Në këtë dorëshkrim autori jep një panoramë të veprimtarisë së tij patriotike, në Rumani në fillim dhe më pas në qytetin e Durrësit. Në të jepen disa fakte interesante për periudhën e para pavarsisë dhe atë të pavarësisë ardhjen e Ismail Qemalit në Durrës, rolin e Mitropolitit Grek Jakobit në kohën e ardhjes së Serbëve në Durrës.

Këndimin e shkrimin e gjuhës amtare e dije prej shumë kohe. Kur jesh në Konstancë të Rumanisë më 1905, mbasi e dije historinë e Skëndërbeut dhe të kryengritjes Greke 1821, si dhe origjinën e kapedanëve të tyne, dhe shofij që grekërit kundërshojshin ç’do sent Shqiptare, un guxoja t’u thoshnja atyne që kurora mbretërore Greke qëndron mbi kockat e kapedanëve Shqiptarë; kto bisedime ngjajin shumë herë në për kafenerat e Shqiptarëvet. Kur erdhi në Konstancë z.Dako me të ndjerin Çilka për me bamun një konferencë në Konstancë, u ndaluan nga gjenerali që sundohej prej tij, mbasi s’I kishte mbushur 40 vjetët që të fitonin lirinë politike si dhe Rumunët, I ndaloj gjenerali mbasi qe I vjeri konsollozit (konsullit) Grek i cili leftonte çdo lëvizje Shqiptare. Atëhere u desht të mblidheshim në një kafe “Skandërbeg” ku bisedonim e njifeshim njëri me tjatrin, kafexhinjt Shqiptarë të cilët kishin mbyllur kafehanet e tyne dhe kishin ardhur për të ndihmuar për shërbim, të cilët më njofin e me muar dhe më prezantuan në komisjonin, tue më rekomanduar si një nga atdhetarët e vlefshëm, atëher z.Dako e Çilka më dhuruan për kujtim nji hartë gjeografike të Shqipnis që kish dale për herën e pare në gjuhën Shqipe në Bruksel prej atdhetarit z.Faik Konica, të cilën hartë e kam edhe sot për kujtim. Edhe kur u shpall konstitucioni i Turqisë që u dha lirija e gjuhës Shqipe, un atëher shkrova vet mbi pëlhurë tabelën me shkronjat Shqipe edhe e mbërtheva në dyqan. Kjo tabelë shkaktoi kritikat edhe talljes të shumta nga Orthodhoksët, por edhe nga kjo tabelë u njofta nga të gjithë atdhetarët e vërtet se diftoheshin ndjenjat e vërteta atdhetarije. Në ato kohra u hap klubi Shqiptar prej të ndjerëve Don Nikoll Kaçorri e Luigj Gurakuqi, në të cilin klub jesha antarë, por mbasi ky klub leftohej egërsisht nga parësija orthodhoksëve të shtyrë nga ndjenjat Greke, nuk lenin Orthodhoksët të shkonin në klub, të cilët andëronin se do të vinte Greku në Durrës, dhe kështu shikonin se kush vinte në klub. Un kur kthehesh nga klubi për shtepi natën, ca çuna të porositur më rrifnin me shkopinj ku të mundnin dhe përdaheshin nëpër rruga, deri sa atdhetari z.Mustafa Pipa, kryetar I gjyqit, porosity policat të cilët më ruanin. Edhe kur zbritën në Durrës I ndjeri z.Ismail Qemali me shokë, nga tabela qe shkruar Shqip, z.Dhimitër Berati, një nga shokët e Ismail Qemalit, I ktheu shokët në dyqanin t’em dhe bisedonim shumë here me gëzim të pa treguar. Kto vizita i tërbuan durrësakët dhe nuk vonoj të shkonin në vesh të mitropolitit Jakob i cili kishte afihet (spiunat) të shumtë që ruanin ç’do lëvizje kur ka qenë në Durrës Ismail Qemali me shokë, dhe kështu përsëritej bojkotazhi kundra meje. Edhe kur u okupua Durrësi prej serbëvet atëher talleshin më tepër dit për dit me mua tue rrafur dyert e dritoret e dyqanit rue thirrur “dil o Aleks klubi se hiku laraska” (për Shqiponjën e flamurit) të cilin e kishte ngritur z.Hamid Bej Toptani, por kur erdhën serbët e zbritën. Kritikat e talljet vazhduan shumë kohë me mua, edhe herë pas here kritikonin Ismail Qemalin dhe flamurin me ç’do fjalë, të inkuerajuar nga mitropoliti e nga parësija që serbët nuk hikeshin nga Shqipria sa ca nga tregtarët ndërruan mbiemrat e tyne në Viç, sa një ditë në dyqan të Taq Theoharit u fjalova ashpër me dy nga parësija e Durrësit, Aristill Shallvarin e Jovan Gogën se lavdëronin serbët edhe shanin ashpër për së tepërmi Ismail Qemalin të cilin e quanin rushfetçi, kishte ngrënë pare nga greqija dhe shqiptarët I quanin barbar e kokë rruar. Atëhere m’u desht t’u përmend këtyre zotnive vrasjen barbare të mbretit Serbve Aleksandër Obrenoviç me mbretëreshën Draga të cilët të vramë o hodhe nga dritoret e pallatit trupat e tyne poshtë. Por mbas pak u pendova se gjenerali serb Popoviç qi kishte komandën e ushtris serbe në Shqipëri e qe një nga vrasësit e mbretit, atëhere u tremba së tepërmi dhe nga frika se mos më kallxonin ke mitropoliti Jakob, i cili kishte një influence të madhe mbasi serbija I kishte dhuruar një nga pes kryet e mbëdhenj me kordon, nga shërbimet e mirëpritjen e serbvet me të keshterët orthodhoks, u mshefa nga frika në konsullatën Italiane, në dhomën e kafazit Filip Lesho i cili ka qenë një patriot i mire dhe na ka shërbyer me gazetat që vinin nga Sofja fshehurazi nga autoritet turq, në kohë para shpalljes së konstitucionit të turqis. Dhe për pritjen e Mbretit Wiedit më zgjodhën delegate të Gjinokastrës, atëher shokët mu lutën që të ve qeleshe të bardhë mbi krye që të jeshin të gjithë me formën nacionale, të cilën dhe e vuna, kjo i bani durrësakët më fanatikë si Mihal Trujën e Pavël Terkën dhe të përsërisnin bojkotazhin. Edhe kur mora pjesë në të deumin Shqip për mbretin në fushën përpara pallatit mbretëror, mbasi mitropoliti Jakob nuk pranoj të bëhej në kishë, atëher u tërbuan ma tepër parësia orthodhokse të cilët ruanin se kush merrte pjesë, edhe nga inati kandisën z.Mihal Trujën, të zotin e dyqanit t’em, i cili nga 14 napolona qira m’a bëri 70 në vit, dhe për sigurim më mori katër kambiale. Edhe kur hynë rebelat në Durrës ca nga ata të porositur nga miqt e tyre nga parësija orthodhokse me kapën e më shpun në burg, pse theshnja “rroftë mbreti” por mbas katër ditëve më lëshuan me ndërhymjen e miqve mysliman, nga të cilët s’kam ndonjë ankim. Në kohën e kryetarit Esat Pashës ka qene ma e rezikëshme mbasi u shërbente ndjenjave mitropolitit Jakob e Pavllo Terkës të cilin e kish minister. N’at kohë bashkë fetarët e mis kritikonin e talleshin me ma e me shqiptarizmën t’eme se s’qe e mundun të përktheheshin fjalët e meshes në Shqipen, edhe un thoshnja të mos u veni veshin fjalëve të mitropolitve se nuk i shërbejnë Zotit po elenizmës, atëhere më thirri Jakobi edhe më kërkonte shpjegime për sjelljet e mitropolitave grek, atëherë i dhashë librin prej të ndjerit P.Luarasi “Mallkimi i shkronjave shqipe”. At libër m’a mbajti mitropoliti Jakob por un e vuna prap në vend me anën e z.Kr. Luarasi. Lirisht vepronim vetëm në kohën e okupacionit austriak nën mbrojtjen e të famëshmit orator prefektit të ndyerit Abdyl Bej Ypi tue patur për shok Ali Riza Kosovën edhe të ndjerin Kristo Rama e plakun veteran të ndjerin Sotir Veveçka.

Këtu më poshtë po shënoj emnat që njofin atdhetarizmën t’eme

1.Petro Poga 2.Jashar Erebara 3.Idomene Kosturi 4.Kryepiskopi Visarion 5.Xhaferr Bej Ypi 6.Fejzi Bej Alizoti 7.Reuf Fico 8.Hiqmet Bej Delvina 9.Dhimitër Kacimbra 10.Rexhep Jella 11.Bexhet Bej Çerma 12.Anton Beça 13.Izedin Beshiri 14.Omer Bej Strazimiri 15.Ramiz Bej Dibra 16.Mehdi Bej Frashëri 17.Episkopi Agathangjel 18.Abedin Nepravishta 19.Rasim Kalakula 20.Abedin Xhiku 21.Eshref Bej Frashëri 22.Major Dr. Bedri 23 Kristo Floqi 24.Ahmet Dakli 25.Doktor Simonidhi 26.Kristo Luarasi 27.Stavro Stavri 28.Kristo Dako 29.Kapiten Teodor Stamati 30 Xhemil Ruga

Shënim: Kam bamun shërbime të shumtë që ma përpara se në fillimin e jetës intependente të Shqipërisë tue rezikuar jetën.

Ref: F.170 V.1937 D.47