Autori Vaso Papaj ka prezantuar pasditen e djeshme vëllimin e tretë të titulluar “Gongël”, pjesë e triologjisë “Dritë në Humbëtirë”.

Prezantimi u krye në ambientet e teatrit “Aleksandër Moisiu”, nën organizimin e Bibliotekës Publike Durrës, e cila i është përgjigjur kështu nismës së ndërmarrë nga Ministria e Kulturës në kuadër të veprimtarive të: “Tetori, muaji i leximit”.

Poetë dhe kritikë letrarë, teksa dhanë impresionet tyre në lidhje me krijimin më të fundit të Papajt, përshëndetën autorin dhe analizuan domethënien e titullit të kësaj trilogjie dhe forcës së pashtershme që i është dashur personazhit të mbijetojë në “humbëtirën e thellë”.

Edhe miq e dashamirës të librit nga salla përshëndetën poetin dhe shkrimtarin Vaso Papaj, i cili triologjinë “Dritë në humbëtirë” e ka librin e tij në prozë pas romanit “Një dimër mes dimrash” dhe pesë vëllimeve me poezi.

Ndërsa vetë autori shpjegon simbolikën edhe domethënien që ka emërtimi i veçantë “Gongël”, fjalë të cilën siç thotë ai, e ka dëgjuar për herë të parë nga një durrsake e vjetër, nëna e shokut të tij, fjalë kjo si shumë të tjera që nuk gjenden në fjalorët e shqipes.

Dy vëllimet e tjera, pjesë të kësaj triologjie titullohen “Kiri” dhe “Qiell mbi furtunë”.

Takimi u moderua nga bibliografja e Bibliotekës Publike Durrës, Teuta Dhima.