Në ambientet e Akademisë së Arteve në Tiranë është zhvilluar konkursi “EPTA Duete Pianistike”.
E gjykuar nga një juri profesionistësh, në këtë konkurs kombëtar morën pjesë 151 konkurentë nga qytete si Tirana, Durrësi, Shkodra etj.
“EPTA Duete Pianistike”, konkursi ku fëmijët duhet të jenë në gjendje që të luajnë në piano me 4 duar, ka si synim kryesor mbajtjen e ritmit njëkohësisht me shoqëruesin (mësuesen) dhe muzikalitetin.
Qyteti i Durrësit, u përfaqësua denjësisht nga nxënës, të cilët ndjekin shkollën artistike “Jan Kukuzeli” në degën e pianos, si dhe fëmijë të cilët ushtrohen në kurse private për piano.
Artistët e vegjël të Durrësit, morën disa çmime të ndryshme, por ajo që surprizoi dhe habiti jurinë si dhe mësuesen e saj ishte 8-vjeçarja, Adea Xhili.
Me vetëm 6 muaj kurs në piano, Adea u rendit e treta në këtë konkurs ku përballë kishte nxënës profesionistë, në një zhaner të vështirë siç është ajo e luajtjes duo (me 4 duar).
Falë profesionalizmit dhe punës së palodhur të një ndër mësueseve më të mira të qytetit të Durrësit për piano, Enisa Terniqi, pianistja e vogël, performoi në praninë e jurisë dhe të të ftuarve tre pjesë: Christian Morris “ We wish you a merry Christmas” "We three kings of Orient are" dhe "Twinkle twinkle little star".
Për DurrësLajm, mësuesja Tërniqi shprehet:
“Jam ndjerë e befasuar dhe shumë krenare për nxënësen time, e cila me konkurimin e saj në konkursin “EPTA Duete Pianistike” u vlerësua nga juria me çmimin e tretë duke konkuruar me nxënës profesionistë. Dua të tregoj që Adea ka vetëm 6 muaj që ka filluar kursin e pianos dhe për të ishte hera e parë që konkuronte në një konkurs kombëtar duke e theksuar që luajtja duo (me 4 duar) në piano i përket një zhanri të vështirë. Gjithashtu konkurimi i saj u bë me fëmijë të cilët vazhdojnë shkollën për muzikë (për piano), ndërsa Adea e ka vazhduar mësimin e pianos vetëm për kulturë dhe për të ky çmim është një vlerësim shumë i madh. Në përmbyllje doja të theksoja që Adea është një nxënëse shumë e mirë, fëmijë i zgjuar, dhe ka një ndjeshmëri të veçantë në lojën e saj në piano, gjë që e dallon nga fëmijët e tjerë”.
Rasti i Adeas së talentuar surprizoi anëtarët e jurisë të cilët e renditën atë të tretën, në një konkurs ku morën pjesë 151 nxënës nga e gjithë Shqipëria, të cilët ushtrohen prej vitesh në piano, ndërsa ajo ndjek mësime private.
Duhet thënë se një meritë të madhe në këtë sukses të vogëlushes së Durrësit, ka edhe puna e mësueses Enisa, e cila në një periudhë kohore të shkurtër, ka arritur rezultate të tilla. Nuk do të jetë e largët dita, kur Adea do të përfaqësojë jo vetëm Durrësin por edhe mbarë Shqipërinë në konkurse ndërkombëtare.
G.D.