Ndërsa dëgjon komunikimin në një radiomarrëse brenda mureve të një salle universiteti mbetesh paksa i habitur. Nuk jemi në bordin e një anijeje, por në një laborator të fjalës së fundit të teknologjisë. Megjithëse jemi të rrethuar nga mure dhe kompjutera, në këtë hapësirë fare mirë mund të simulohen situata të ndryshme detare duke i ndihmuar studentët e degës së navigacionit, që të marrin të gjithë formimin e duhur profesional.

Prej disa muajsh, në Fakultetin e Studimeve Profesionale në UAMD është kompletuar laboratori i navigacionit.

Dekani i këtij fakulteti, prof. Osman Metalla tregon më shumë për “DurrësLajm” mbi rëndësinë që ka ky laborator për kapitenët dhe navigatorët e ardhshëm.

Laboratori që kemi sot është një laborator i fjalës së fundit, që ofron të gjithë ato elementët, të cilat plotësojnë pjesën teorike. Pra, ofron gjithë ato situata të rëndësishme navigacionale, për të cilat duhet të ketë njohuri një student i navigacionit“, thotë ndër të tjera ai.

Ndërsa për ish-kapitenin dhe tashmë lektorin e navigacionit, Shpëtim Pupa, vënia në funksion e këtij laboratori është një arritje e madhe, sidomos për studentët.

Profesor Pupa, pasionin për detarinë, ia ka përcjellë edhe nipit të tij, Erisit, i cili është student në vitin e tretë në degën e navigacionit. 21-vjeçari mezi po pret të përfundojë shkollën e lartë dhe të nisë të ushtrojë profesionin. Ndryshe nga studentë të tjerë që i tremben integrimit në tregun e punës, Erisi thotë se në profesionin e tij nuk është e vështirë të gjesh punë.

Një lajm i mirë që vjen për studentët e degës së navigacionit dhe menaxhimit detar është që vetëm një javë më parë janë miratuar nga Ministria e Arsimit kurrikulat e reja për këto degë në përputhje të plotë me direktivat e Organizatës Ndërkombëtare të Detarisë, IMO, dhe Agjencisë Evropiane të Sigurisë Detare, EMSA.

Laboratori i navigacionit i vënë në funksion 5 muaj më parë në UAMD është mundësuar me fondet e vetë universitetit, por edhe falë projektit Almars me universitetin e Splitit në Kroaci dhe kontributit të operatorëve detarë vendas.

M.B.