Thyhet palma në bulevardin “Epidamn” në Durrës!
Palma që ndodhej në trotuar është rrëzuar papritur në mes të rrugës, duke rrezikuar seriozisht jetën e kalimtarëve apo drejtuesve të mjeteve, por fatmirësisht nuk ka prekur askënd.
Të vetmet që janë dëmtuar, kanë qenë dy automjete të parkuara siç shihet edhe nga pamjet që përcjell “DurrësLajm” nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë rruga është bllokuar dhe forcat e policisë po punojnë për menaxhimin e devijimit të drejtuesve të automjeteve nëpër rrugët e tjera, teksa pritet edhe zhvendosja e palmës së thyer.
Ky nuk është rasti i parë, pasi po në të njëjtin bulevard është rrëzuar një tjetër palmë pak kohë më parë kur qyteti i Durrësit u përfshi nga moti i keq, ndërkohë që edhe në zona të tjera ka pasur rrëzime palmash e pemësh.