Kseanela Sotirofski, rektore e Universitetit “Aleksandër Moisiu”:

Qëllimi në UAMD është që ne të lidhim shumë mirë programet tona të studimit me tregun dhe kjo sot është një tregues i lidhjes së asaj çka ne bëjmë në klasë me atë çka juve ju pret pas daljes nga dyert e universitetit.

Për të përmbushur këtë qëllim parësor të universitetit, ashtu siç është bërë traditë tashmë, Fakulteti i Biznesit ka zhvilluar edicionin e katërt të Panairit të Punës dhe Karrierës.

Ishin përreth 200 biznese private pjesëmarrëse nga sektorë të ndryshëm, si dhe kompani publike, si Autoriteti Portual Durrës e Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave.

Detajet i dha për “DurrësLajm”, dekani Shkëlqim Fortuzi.

Në panair pritet që të nënshkruhen rreth 20 marrëveshje bashkëpunimi për praktika studentore, për intershipe të pagueshme ndërmjet bizneseve të interesuara dhe Fakultetit të Biznesit. Gjithashtu pritet që të nënshkruhen marrëveshje për bursa studimi për 10 studentë në fushën e Hoteleri-Turizmit” , tha dekani.

Gjatë fjalës së rastit, ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu vlerësoi punën e bërë nga universiteti i Durrësit, të cilin e cilësoi “model suksesi”.

Një lajm të mirë e dha edhe kryebashkiakja Emiriana Sako, nga panairi me temë “Ekonomia dhe turizmi i qëndrueshëm, sfidat dhe mundësitë e punësimit në Shqipëri”.

Jemi duke përgatitur kartat e studentit, një marrëveshje e hartuar me ministrinë pak kohë më herët. Ne kemi bërë takime me biznese të ndryshme dhe kemi marrë dakordsinë për të pasur oferta brenda këtyre kartave“, shpjegoi Sako.

Nisur nga kërkesat paraprake të kompanive pjesmarrëse në Panair, deri në përfundim të tij pritet të lidhen mbi 300 kontrata provë, duke patur parasysh edhe fillimin e sezonit turistik.

K.Gj.