Lideri absolut i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, duket se është bërë për herë të parë baba në ditët e fundit të 2013-s, sugjerojnë spekulimet e publikuara në mediat ndërkombëtare. 

Nëse do të verifikohet, një lajm i tillë do të siguronte vazhdimin e dinastisë së Kim-ëve në një brez të katërt, pas liderve të mëparshëm, gjyshit të Kim Jong-un, Kim Il-Sung dhe babait të tij, Kim Jong-Il.

Janë fotografitë që tregojnë një ndryshim të madh tek bashkëshortja e Jong-Un, Ri Sol-Ju, ato që kanë bërë të qarkullojnë zërat për lindjen e një fëmije në familjen që drejton gjysmën veriore të gadishullit Korean që prej vitit 1948.

Në ditët përpara Krishtlindjeve, Ri Sol-Ju, e cila tërhoqi vëmendjen e diktatorit duke kënduar në një shfaqje në kryeqytetin Penian, u shfaq në një pritje zyrtare duke veshur një pallto të rëndë dhe të gjerë, e cila besohej se i fshihte format e shtatzanisë.

Përpara Krishtlindjeve, bashkëshortja e diktatorit Kim Jong-Un, shfaqet në një pritje me një pallto të gjerë të zezë, që besohet se fsheh format e një shtatzanie në 2-3 javët e saj të fundit.

Ndërkohë, në pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror, pas Vitit të Ri, Kim Jong-Un shfaqet përkah gruas së tij në një inagurim, por këtë herë, Sol-Ju duket më e dobët se më përpara, duke bërë të besohet se ajo ndërkohë ka lindur.

Zërat për shtatzaninë e bashkëshortes së Jong-Un qarkulluan për herë të parë në muajt e verës, por nuk u konfirmuan asnjëherë në rrugë zyrtare.

Në një ceremoni pas Vitit të Ri, bashkëshortja e Kim Jong-Un vesh një pallto që tregon forma më të imta, duke i dhënë jetë spekulimeve për lindjen e një fëmije.

Korea e Veriut, një ndër pesë vendet e mbetura në botë ku mbeten ende në fuqi sisteme komuniste (pas Kinës, Vietnamit, Laosit dhe Kubës), konsiderohet gjerësisht si shteti më i izoluar në botë dhe përballë mungesës absolute të aksesit në vend nga mediat ndërkombëtare, burimet e vetme të informacionit, përgjithësisht janë Agjensia Zyrtare e Lajmeve “KCNA” ose burimet e pakonfirmuara të agjensive të vendeve fqinje, shpesh të informuara nga të arratisurit nga vendi për ngjarjet e fundit që ndodhin në vend.