Aksioni i Policisë Bashkiake Durrës për lirimin e hapësirave publike të zëna nga lokalet është përqendruar mbrëmjen e sotme në qendër të Durrësit, përgjatë bulevardit “Epidamn” dhe rrugës “Egnatia”.

Efektivët e kësaj policie kanë ushtruar kontrolle në të gjitha subjektet private, ndërsa në disa prej tyre kanë vendosur masa administrative.

Ditë më parë, Policia Bashkiake u bëri apel të gjitha subjekteve private dhe individëve që kanë zënë hapësirat publike me mjete rrethanore si tavolina, karrige, kupola betoni, konikë, struktura metalike, vazo betoni etj që t’i lirojnë ato dhe të drejtohen në bashki për t’u pajisur me leje përkatëse.

“Të gjithë subjektet duhet të marrin masa për tu pajisur me leje pranë Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Durrës brenda afatit të caktuar në akt konstatimet e shpërndara nga inspektorët e Policisë Bashkiake.

Me kalimin e afatit të përcaktuar në akt konstatim do të bëhet lirimi i menjëhershëm i hapësirës publike si dhe do të meren masa administrative me gjobë deri me ndjekje penale”,- njoftonte Policia Bashkiake në fillim të muajit shtator.

Përgjatë këtyre ditëve, efektivët e Policisë Bashkiake i kanë përqendruar aksionet në zona të ndryshme të qytetit, si përgjatë rrugës “Aleksandër Goga”, në lagjen nr.17 etj.