TIRANE – Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka zhvilluar takimin e parë zyrtar me drejtues dhe prokurorë të institucionit qw ai drejton. Menjëherë pas marrjes së detyrës, Llalla ka parashtruar fillimisht prioritetet e punës së tij gjatë mandatit 5-vjeçar, ku ka vënë theksin në angazhimin për të forcuar besimin e publikut tek institucioni i Prokurorisë.

Ai ka kërkuar nga drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme që të impenjohen maksimalisht në drejtim të kontrollit të brendshëm, me qëllim luftën e fenomeneve antiligjore që mund të shfaqen në institucionin e akuzës.

Gjithashtu, Llalla ka theksuar faktin që Prokuroria është një institucion i centralizuar dhe kjo duhet mbajtur parasysh nga çdo hallkë dhe strukturë në zyrat qendrore dhe në rrethe.

“I takon Prokurorisë së Përgjithshme që të shpërndajë mesazhe në prokuroritë Apelit dhe të rretheve se jemi një strukturë e centralizuar dhe duhet respektuar ky detyrim i rëndësishëm ligjor, i cili do të ndikojë në rritjen cilësore të aktivitetit institucional”,- u shpreh Prokurori i Përgjithshëm.

Më tej, Llalla theksoi nuk do të tolerohen rastet e abuzimit me detyrën. 

“Përvoja ka dëshmuar se askush nuk është i përjetshëm në pozicione, duke filluar nga Prokurori i Përgjithshëm, duke vijuar tek drejtorët e drejtuesit e prokurorive të rretheve. Mendoj se ka nevojë për një rifreskim dhe veprimet konkrete do të realizohen pasi të jetë diskutuar gjerësisht me të gjitha strukturat, me qëllim rivitalizimin e institucionit të Prokurorisë”,- përfundoi z. Llalla.