Aktori 84-vjeçar, Lutfi Hoxha me mbi 100 role, është i vetmi i mbetur gjallë nga brezi i themeluesve të teatrit “Aleksandër Moisiu”, në vitin e largët 1953. Në gjendje të mirë shëndetësore, ikona e teatrit thotë se do të vijonte sërish të ishte në skenë edhe me një rol tjetër përkrah brezit të ri të aktorëve me të cilët ndan çdo ditë të jetës.  

Është po aq i fortë si një djalë i ri. Të paktën kështu e ndjen veten Lutfi Hoxha artisti i merituar.

"Jam i ri sepse çdo ditë e kaloj me të rinjtë e teatrit, të cilët janë edhe  bashkëshoqëruesit e jetës time". Ka tre çerek shekulli në skenë dhe sërish thotë se mosha 84-vjeçare nuk do të thotë asgjë, për të marrë edhe një rol tjetër.

Në vitin e largët 1953 ishte po në këtë godinë aso kohe djalosh me pantallona të shkurtra, ndërsa në 2018 feston 65-vjetorin e krijimit të teatrit, institucionit të cilit i kushtoi jetën e prej të cilit dha e mori shkëlqimin.

Lutfi Hoxha e ka sfiduar moshën vetëm përmes emocioneve të skenës. Kolosin e skenës së teatrit e kemi gjetur sërish aty në shtëpinë e tij të dytë , ku mori pjesë në ditëlindjen e 65 të teatrit. Bashkëbisedon me miqtë e tij të vjetër, Haxhi Ramën, Mirush Kabashin, regjisoren Driada Dervishi, me akorët e rinj të Durrësit të cilët e shikojnë plot admirim dhe respekt . Ka gjetur një shkak që të flasë për teatrin.

"Në skenë  flasim me gjuhën e personazheve dhe të autorëve. Sot flasim me mendimet tona, ato të cilët ne jemi," thotë aktori i 107 roleve në teatër e kinematografi

Kur flet Lutfi Hoxha të gjithë e dëgjojnë me admirim, jo vetëm se fjalët e tij kanë peshë por se etet një autoritet i padiskutueshëm i artit dhe kulturës së vendit tonë, e atë çfarë i ka dhënë kësaj fushe. Pa ngurrim thotë se do të jetë sërish edhe me një rol tjetër në skenë, e mirëpret një rol, që ti përshtatet figurës së tij dhe personalitetit të tij.

Në vitin 2009, me premierën e filmit “Ne dhe Lenini” të regjisorit Saimir Kumbaro, ku luan rolin e një të moshuari në shtëpinë-azil Luti theu edhe një rekord tjetër si një nga aktorët me karrierë më të gjatë të kinemasë shqiptare, që nis me filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1956.

Lutfi Hoxha ka ardhur në teatrin e Durrësit “me pantallona të shkurtra”. Ishte vetëm 18 vjeç, kur bashkë me disa nga artistët më të mirë amatorë të qytetit bregdetar më 11 janar të vitit 1953 i dhanë jetë teatrit më të ri dramatik në vend.

Lutfiu kishte intepretuar disa role në grupet amatore të kantierit detar, ndërsa ishte shquar më shumë si kërcimtar me grupin e pallatit të kulturës.

Rolet në pjesët “Votra e huaj” e Ndrek Lucës; “Bileta e llotarisë” e Dionis Bubanit; “Prindër edukatorë” e Spiro çomorës; “Martesa” e Gogolit; “I sëmuri imagjinar” i Molierit dhe te “Dredhitë e Skapenit” e bënë aktorin durrsak mjaft të dashur për spektatorin e teatrit. Pas filmit “Detyrë e posaçme” Lutfi Hoxha luan edhe në filmat “Thirrja”, “Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “Nata e parë e lirisë”, Valsi”, për të mbërritur te filmi “Ne dhe Lenini”.

Komedia “Martesa” e Gogolit mbetet në repertorin e teatrit gati dy dhjetëvjaçarë radhazi dhe komedia ngjitet në skenë 270 herë, falë interpretit kryesor Nikolin Xhoja, por edhe falë mjeshtërisë së Lutfi Hoxhës në rolin e Stefanit dhe aktorëve të tjerë pjesmarrës Vangjel Heba, Vera e Spiro Urumi, Todi Thanasi, Teodor Rupi, etj.

Lutfi Hoxha ka lindur më 1 qershor. Njëlloj si fëmijët ai ka mbetur një natyrë e gëzuar, që i pëlqen të qëndrojë me shokë, miq dhe bashkëqytetarë, njëlloj siç i pëlqen të jetë në skenë mes kolegësh artistë dhe përballë spektatorëve që vazhdojnë ti falin duartrokitje të merituara.