Shkrimtarja nga Durrësi Ismete Selmanaj Leba, që banon në Siçili prej më shumë se 20 vitesh, është padyshim një nga ato persona që të bën të ndjehesh krenar kur emri shqiptar lartësohet në një vend të huaj.

Në profesion është inxhiniere ndërtimi, por pasionin e saj të hershëm për letërsinë nuk e ka lënë pas dore. Dhe ka bërë zgjedhjen më të mirë. Shkrimtarja e suksesshme durrsake ka publikuar disa libra në shqip dhe në italisht, por dy prej tyre, më të fundit, tanimë janë futur si tekst studimi për studentët e Fakultetit të Filozofisë e Letërsisë në Universitetin e Palermos, ku ka dhënë gjithashtu edhe disa seminare.

Libri i saj më i fundit me titull “I bambini non hanno mai colpe”, sapo ka dalë në qarkullim në Itali. Si ky, ashtu edhe i pari me titull “Verginità Rapite”, të cilat janë futur si literaturë në universitetin italian, kanë parathënien e profesor Matteo Mandala-s i Universitetit të Palermos.

Në qendër të trilerit “I bambini non hanno mai colpe”, i publikuar nga Bonfirraro Editore, është pedofilia, një nga plagët më të shëmtuara të njerëzimit rreth së cilës rrotullohet jeta e katër personave, katër burrave, të lidhur nga një fat i hidhur e pothuajse i pandarë.

Është një vepër letrare e plotë që i ka rrënjët shoqërore në Shqipërinë paskomuniste, e cila duhej të përballej me shumë probleme. Pas një gjumi letargjik të gjatë pothuajse gjysmë shekulli, u zgjua Kanuni i Lek Dukagjinit më konfuz e më i pamëshirshëm se më parë. Mëritë e vjetra filluan saktësisht aty ku i pati shtypur regjimi i Hoxhës, me grusht të hekurt… por tanimë pa rregulla. Gjakësit nuk ndalen më as para fëmijëve e grave. Sot, njerëzit vriten edhe për një fjalë të tepërt, për një metër tokë, për një vështrim të vëngër. Sot, shikojmë tragjedinë e fëmijëve të mbyllur brenda shtëpive, sepse kanë frikë të dalin jashtë.

Por çfarë e ka shtyrë fantazinë e autores që e ngre zërin me forcë nga një vend i vogël, Rocca di Caprileone në provincën e Messina-s?

Ismete Selmanaj ka lindur në Durrës dhe që e vogël ka pasur pasion letërsinë duke shkruar vazhdimisht dhe ka fituar disa çmime në konkurset letrare të kohës. Në vitin 1991 diplomohet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Por pasionin për letërsinë nuk e ka lënë kurrë mënjanë. Në vitin 2013 boton në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj” librin “Gjembi dhe trëndafilat” që mori pjesë në Panairin e Librit “Tirana 2013”. Një vit më vonë, në nëntor 2014, publikon me të njëjtën shtëpi botuese romanin “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”, që rezultoi libri i tretë më i shitur në Panairin e Librit në nëntor 2014 në Tiranë.

Për publikun italian, në prill të 2015-s publikoi nga shtëpia botuese “Bonfirraro Editore” librin “Verginità Rapite”, që është një himn për të gjitha viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe në veçanti për gratë e vajzat. Për këtë libër kanë shkruar shumë gazeta lokale dhe një nga gazetat më të rëndësishme në Itali, “Corriere della Sera”, e cila e konsideron brilante shkrimtaren nga Durrësi. Parathënien e të dy librave e ka përgatitur profesori Matteo Mandalà, pedagog në  Universitetin e Palermos. Si libri “Verginità Rapite”, po ashtu edhe “I bambini non hanno mai colpe”, janë futur si libër studimi në Universitetin e Palermos,  ku autorja ka qenë e ftuar në disa seminare me studentët. Gjithashtu e ftuar për të komentuar historinë e librit “Verginità Rapite” autorja ka qenë në disa takime në dhjetëra shkolla të mesme të Siçilisë.

Në 13 maj të 2016-s, autorja do të marrë pjesë në Salone Internazionale del Libro në Torino, një nder e krenari për këtë autore shqiptare, për të cilën është folur shumë dhe me siguri do të flitet në të ardhmen. Ismete Selmanaj është një shkrimtare brilante, dhe historia e saj përbën sukses!

S.L.