Prej një viti mësuesi Shkëlqim Ceci ka dalë në pension.

Po në këtë stad të jetës së tij, Shkëlqimi ndjehet i vleresuar nga shoqëria dhe ditët e pensionit i kalon duke reflektuar mbi një jetë aktive që ka kaluar si dhe mes emocioneve të vjetra dhe të reja që jeta i ofron çdo ditë. Për të arsimi përbën një jetë të veçantë që e shikon ende në ëndërr.

Jeta e tij edhe sot është e lidhur ngushtë me arsimin. Pasi ka rritur dhe edukur 7 fëmijë, ai ka dhënë një kontribut me vlera edhe në edukimin shkollor të mijëra nxënësve duke filluar nga vendlindja e tij, Lenija deri në Durrës, ku dhe ka mbyllur karrierën e tij në arsim si drejtor i shkollës së “Re” në zonën e ish-Kënetës.

Ai tashmë e kalon ditën duke u kujdesur për një kopësht të gjelbër në mjediset e banesës së tij dhe duke pritur miq. Është një njeri që nuk kurseu asgjë në ndriçimin shpirtëror e intelektual të brezave. 43 vitet  që ka kaluar në arsim nga Gramshi në Durrës edhe sot e mbushin me kënaqësi dhe kujtime të bukura e mbresëlënëse.

Jeta e Shkëlqim Cecit është një histori e gjallë përshtypjesh pozitive për këdo që e njeh nga afër. Dhe me siguri edhe ëndërrat që ai sheh do të jenë ëndërra të bukura si vetë jeta e tij dhe bota shpirtërore që ai rrezaton.

K.H.