Prej 24 vjetësh jeton me shqetësimin dhe gëzimin e ardhjes në jetë të fëmijëve.

Me të njëjtin durim pret në jetë fëmijët, dëgjon prej tyre të qarën e parë, jeton me shqetësimin e nënave, me dhimbjet e lindjes së tyre, me padurimin e baballarëve, me gëzimin e me hidhërimin e tyre njëkohësisht. I duhet të marrë vendimin në kohën e duhur, të fusë në operacion nënat pas komplikacioneve të ndryshme që mund të kenë, dhe të flakë tej të gjithë frikërat me vendosmëri dhe profesionalizëm.

Të jesh mjeke obstetre – gjinekologe, në spitalin publik do të thotë që në familje të mungosh edhe në ditët më të shenjta për fëmijët në ditëlindjet e tyre.

Mjekja obstetre Diana Shahini, vjen në një rrëfim të sinqertë për rubrikën personazh në “DurrësLajm”. Është nënë e dy vajzave, një prej të cilave ka ndjekur rrugën e saj, atë të mjekësisë. Rreth 2500 lindje në vit, ose 7 lindje në ditë shënohen në maternitetin e Durrësit, ku janë katër mjekë obstetër.

Si profesioniste di të qëndojë aq afër nënave të reja, t’iu sigurojë se gjithçka do të shkojë ashtu siç duhet, edhe pse ka qëndruar për orë e orë të tëra në punë.  

Dëgjon të rrahurën e parë të zemrës së një bebi, dhe gëzimin në sytë e nënave.

Mjekja Diana Shahini thotë se duke qëndruar pranë nënave që lindin, ka marrë prej tyre të gjithë kënaqësinë e një profesioni të bukur, por njëkohësisht, ka munguar në ditëlindjet e vajzave të saj, madje edhe në netët e ndërrimit të viteve. I vjen keq që ka munguar në ditëlindjet e vajzave dhe ka rastisur që dy ose tre herë rresht të mos jetë e pranishme. Ndërsa festat e ndryshme i feston së bashku me pacientët.

Muaji shkurt ka përkuar me sensibilizmin e femrave për të kryer Pap testin, një analizë e cila parandalon në kohë kancerin e qafës së mitrës, rastet e të cilit janë dyfishuar në botë, gjatë viteve të fundit sipas raportit të OBSH-së.

Pavarësisht se nuk ka shifra të sakta të prekjes së kancerit të mitrës te gratë në Durrës, mjekja thotë se testimi në kohë, parandalon avancimin e një sëmundjeje që mund të zgjasë edhe 10 vjet, pa asnjë simptomë. Por çfarë është Pap testi? Cili është shkaktari i kësaj sëmundjeje? A mund të parandalohet kjo sëmundje?

Thotë që numri i aborteve është i lartë, dhe kryesisht për abort drejtohen moshat e reja.  

Pavarësisht lodhjes, kur rezultaet e punës janë të mira, kur nënat mbajnë në krahë fëmijë të shëndetshëm, kur pavarësisht komplikacioneve ia kanë arritur të shpëtojnë nënën dhe fëmijën, dita është mbyllur me sukses. Të nesërmen është një ditë e re, e mbushur po me kaq rëndesë, me shpresa teksa në jetë priten të vijnë fëmijë!  

K.H.