“Dita më e bukur e e jetës ishte, kur vajza e sapodiplomuar për informatikë ekonomike erdhi në shtëpi e më tha se kish vendosur të  ndiqte fakultetin e mjekësisë.  Më tha që nuk ishte e prerë për informatikë dhe unë e di që do të bëhet një mjeke e mirë, madje edhe më e mirë se unë, jo se është vajza ime dhe është e shkëlqyer, por sepse është shumë këmbëngulëse”.

Kështu rrëfen midis të tjerash mjekja Fatbardha Reka në intervistën e dhënë për DurrësLajm.

Një nënë e realizuar, një mjeke profesioniste, aktiviste në politikë e jetën sociale, mjekja Fatbardha Reka thotë se ndjehet e plotësuar pas 35 vjetëve karrierë profesionale dhe me angazhime shumëplanëshe.

E sapodiplomuar për mjekësi, me ëndrra dhe ideale të mëdha, mjekja e braktisi kryeqyetin për të ardhur në Durrës përgjithmonë. Dashuria ishte më e madhe se gjithçka dhe në emër të saj hyri nuse në një familje të madhe e të njohur në Durrës.

Mjekja reumatologe Fatbardha Reka rikthehet pas në kohë atëherë, kur, 35 vjet më parë, mori vendimin e saj më të rëndësishëm në jetë. Zgjodhi të jetojë në Durrës, së bashku me bashkëshortin Dinin, i cili të gjithë veprimtarinë e tij e ka shtrirë në fushën e sportit. Në Durrës krijuan familjen e tyre dhe po këtu e veshi për herë të parë bluzën e bardhë të mjekut, atë të cilën e mban me përgjegjësinë e një profesionisteje të sprovuar. Këtu përjetoi ndjesinë e parë dhe emocionin, kur pacientët e thërrisnin doktoreshë.

“Kjo bluzë e bardhë, e veshur, është institucion, është përgjegjësi, është sakrificë dhe angazhim për të përmbushur me profesionalizëm detyrën e mjekut” thotë reumatologia.   

Angazhimet e mjekes janë të mëdha jo vetëm në familje me rritjen e dy fëmijëve shembull, një djali e një vajze,  por me angazhime të spikatuar në jetën politike, atë sociale, pjesëmarrëse në konferenca të ndryshme brenda e jashtë vendit. Aktualisht mban detyrën e nëndrejtores së spitalit të Durrësit, shefes së poliklinikës qëndrore të specialiteteve, por gjen edhe kohë që herë pas here të merret me sport.

Fillimisht emërimin, pasi përfundoi universitetin, mjekja e re e mori në Maminas, ku shërbeu për disa vjet për banorët e 7 fshatrave. Miqësia me këta banorë, të cilët i dhanë kuptim jetës së saj, vijon të mbetet e njëjtë edhe sot, ndërsa i trokasin në poliklinikë, aty ku viziton me qindra pacientë çdo javë.

Marrëdhënia me fëmijët, puna me orare të gjata në spitalin rajonal të Durrësit, vështirësitë, bashkëpunimi me shumë kolegë të nderuar, kënaqësia që përfiton nga fëmijët, shëtitjet e gjata e pse jo edhe stërvitjet në natyrë, të gjithë këto e të tjera vijnë në rrëfimin e mëposhtëm…