Është një prej autoriteteve të padiskutueshëm të fushës në arkeologji. Është njohës i jashtëzakonshëm i urbanistikës së qytetit ku ka lindur, ku u rrit e po jeton me familjen. Çdo herë ka ngritur zërin e ka folur pa doreza, atëherë kur interest e qyterëve durrakë janë shkelur, kur shtë abuzuar e është përçudnduar e shkuara e qytetit, ka folur duke ngritur gishtin e akuzës mbi shkaktarët. Edhe këtë radhë Profesor Doktor Fatos Tartari ka qenë në radhë të parë të protestave që bëhen për të mbrojtur nëntokën në sheshin “Veliera”.

Profesorin e gjejmë në banesën e tij, në afërsi të Amfiteatrit, ku na presin së bashku me bashkëshorten e tij Mirelën, e apasionuar pas arkeologjisë, zbulimeve dhe punimeve të reja shkencore njësoj si bashkëshorti i saj.

Profesori flet me aq shumë dhimbje për qytetin e Durrësit, për të cilin ka lexuar gjithçka, madje e ka vërtetuar edhe nëpërmjet zbulimeve historinë e lavdishme të qytetërimeve, që prej krijimit të tij, pushtimeve, ndërtimit të fortesave, prej urbanizmit dhe gjithçka tjetër, përsa i përket jetës ekonomike e zhvillimit të qytetit që sipas tij është zaptuar nga mafia e ndërtimeve. “Durrësi është qyteti që përfaqëson Shqipërinë në Mesdhe, dhe në Botë, pasuria e tij arkeologjike ishte pasaporta më e mirë e turizmit, por në 25 vjet nga mafiozë të ndërtimeve është shkatërruar kjo pasuri!”, deklaron profesori.  

Profesor Tartari e krahason qytetin tonë me atë të Korfuzit, por në ndryshim nga Korfuzi i cili vizitohet nga mijëra turistë të huaj, Durrësin, politika dhe drejtuesit e kanë shkatërruar për ta bërë gjithmonë e më pak të vizitueshëm dhe krejtësisht të pakonkurrueshëm me qytetet e tjera të Mesdheut.

Profesorit i dhimbsen të gjitha objektet arkeologjike të cilat shkatërrohen para syve të qytetarëve të këtij qyteti.

Ai e cilëson me pasoja të rënda dhe të pariparueshme situatën kaotike të ndërtimeve në Durrës, ndërtime të bëra në një pjesë të madhe mbi një kulturë mijëravjeçare që fle nën tokë.

Sipas tij, Durrësi ka rënë viktimë e degradimit të plotë dhe groposjes së qytetërimit ilir për shkak të interesave të ngushta. Pa shpresë, pa të nesërme dhe pa të ardhme e ka klasifikuar jetën e qytetarëve në Durrës pas shkatërrimit të qëllimtë të pasurisë arkeologjike dhe rrënimit dashakeqës e të projektuar të bregdetit. Profesori i ka bërë apel të gjitha strukturave të shtetit shqiptar të ndalojnë sa më parë degradimin e mëtejshëm të pasurisë së madhe arkeologjike në Durrës.

Jeta:

Me të përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, emërohet mësues në një shkollë të mesme në Lezhe dhe dy vite më pas transferohet në Golem të Kavajës. Arsimit në mënyrë të drejtpërdrejtë i kushtoi rininë e parë duke shërbyer për 8 vite, ndërsa në vitin 1970 i përvishet punës kërkimore e studimore duke u bërë një nga emrat më aktiv në fushën e arkeologjisë. Fillimisht zgjidhet si punonjës shkencor pranë muzeut arkeologjik në Durrës dhe në fare pak kohë shfaqet në shtypin e kohës, sallat e konferencave dhe tryezat bashkëbiseduese si lektor me përgjegjësi dhe njohuri të plota shkencore në arkeologji.  Karriera e tij e pasur i ka dhënë mundësi të përfitojë edhe tituj e grada, duke nisur nga “Kandidat i Shkencave”, “Doktor i Shkencave” për të kapur majën me tutullin “Profesor” të gjitha në sajë të botimeve dhe monografive me karakter të plotë kërkimor-shkencor.

Prof. Dr. Fatos Tartari të parin bashkëpunim, të cilin këmbëngul të thotë e rithotë disa herë, e pati me V. Toçin, arkeologun e madh, i cili zbuloi Amfiteatrin e Durrësit. Tartari totë se Toçi pati meritën të mbledhë rreth vetes artistë, restauratorë e fotografë me intuitë. Falë kësaj pune këmbëngulëse dhe përzgjedhjes së elementëve u realizua edhe zbulimi 30 monumenteve unikale. 

“Kjo vetëdije e krijuar, është përdhosur në këto 20 vitet e fundit”. Këtë pohim ai e mbështet nga kërkimet ilegale të realizuara natën nga persona e grupe të interesuara trafikantësh duke ndëshkuar rëndë pasurinë nëntokësore arkeologjikë të qytetit të Durrësit. pjesa tjetër i përket zbulimeve në Sarandë, Shkodër, Tropojë…Tartari bën të qartë se Durrësi ka shumë thesare arkeologjike të pazbuluar. Ai kujton se si në vendin e quajtur Kodra Dautes janë zbuluar e studiuar monedha për datime absolute. Konkretisht thotë se u zbuluan monedha të kohës së qeverisjes së Monun; qeramika pafund; enët e tavolinës; objekte metalike etj. Afro 5 tonë është pesha e materialit të zbuluar dhe një sasi e tillë shumëllojshe e bën interesante dhe nxitëse thellimin e kërkimeve, të cilat prej 20 vitesh janë lënë në harresë.

Në vitin 1997 u vodhën e u zhdukën objekte të periudhës ilire. Vjedhja është bërë nga brenda. Kjo dorë synonte të zhdukte identitetin e qytetit të Durrësit, të zhdukte iliricitetin durrsak. Gjatë trazirave të vitit 1997 u morën ato objekte që i takojnë qytetarimit ilir, i morën nga vitrinat, edhe pse ishte një copë enë. E grabitën pasi kjo enë fliste shumë. Nuk morën monumente e objekte të kulturës së periudhës greke që kushtojnë shumë në treg. Përkundrazi hoqën e grabitën atë pasuri e cila në treg nuk është e kushtueshme, por në studimet arkeologjike dhe në identitetin tonë si pasardhës të qytetërimit dhe kulturës ilire ishte me vlera të jashtëzakonshme. Janë marrë objekte të periudhës paraqytetare, objekte që i përkasin kohës para ardhjes së grekëve. Durrësi ka kulturë para qytetërimit grek. Këto sende të grabitura janë enë prej balte; armë prej metali, bronxi, hekuri… tipare këto të kulturës ilire. U morën figurina e skulptura. Një e tillë është skulptura Klejkja (busti saj) me veshje ilire. Emër të tillë nuk e kanë as grekët, as sllavët. Të shohësh atë skulturë vëren kulturën e krehjes së flokëve, mjeshtërinë e punimit të metalit.

Ndërkohë që ligji parashikon shfrytëzimin vetëm në masën 1/3 pasi pjesa tjetër llogaritet për trotuare, hapësira të gjelbërta etj. Sot nuk do t’ia di ndokush për ligjin e nëntokës së Durrësit të vitit 1961. Nuk ka kontroll, nuk ka gjoba. Sot Atdheu është në ankand, në treg, i shitur. Deri para vitit 1990 arritëm që të kishim nën kontroll çdo lopatë që gërmonte.

Sporti

Fatos Tartari thuajse gjatë gjithë jetës së tij është marrë paralelisht edhe me sport, krahas arkeologjisë. Ka ushtruar me pasion atletikën dhe volejbollin. Si volejbollist ka qenë pjesë e ekipit “Lokomotiva” të Durrësit, dy herë kampione, në vitin 55-56 me të rinjtë. Më pas është akitivizuar me “Studentin” për t’u krithyer tek ekipi qytetit të tij të Durrësit në vitet 1960-1970. Pas viteve 70 të shekullit të kaluar nuk i është ndarë sportit, por duke mbajtur pozicionin e gjyqtarit. Për vite të tëra ka qenë gjyqatar i atletikës. Shkallën më të lartë e ka arritur në aktivitet kombëtare e ndërkombëtare si përgjegjës i grupit të gjyqtarëve, duke e caktuar kryegjyqtar. Tartari ka qenë anëtar në kryesinë qendrore të atletikës shqiptare; kryetar i kolegjiumit qendror të gjyqtarëve të atletikës.

Fatos Tartari ka kryer studimet e larta në UT, fakulteti Histori-Filologji 1961

1962-1970 mësues në shkollën e mesme Lezhë dhe në Golem të Kavajës

1970 punonjës shkencor pranë muzeut arkeologjik të Durrësit

1989 merr gradën “Kandidat i Shkencave”

1996 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave”

2000 merr titullin “Mjeshtër i kërkimeve”, Profesor i asociuar.

2007 fiton titullin “Profesor”

1962 e në vijim pjesëmarrës në ekspedita arkeologjike; lektor me kumtesa, referate, biseda. Autor i shumë artikujve shkencorë dhe informacioneve shkencore. Autor e bashkautor në disa satudime shkencore. Autor i disa monografive. Pjesmarrës në kongrese ndër- kombëtare për arkeologjinë. Anëtar i Shoqatës Evropiane të Arkeologjisë.