Fatmir Turkeshi është ekonomisti 86-vjeçar, i cili për asnjë ditë të jetës së tij nuk e ka ndërprerë aktivitetin e punës.

Ishte ndër të parët në demokraci i cili hapi një zyrë kontabiliteti ndërsa skepticizmi ishte shumë i madh se si do t’ia dilte në ekonominë e tregut si një profesionist i lirë.

Ai kishte bindjen se do t’ia dilte si profesionist ekonomist, atëherë kur të gjithë dyshonin se sistemi i ri kapitalist kërkonte më shumë punë e korrektësi.

86-vjeçarin e gjejmë para bashkisë së Durrësit në sheshin “Liria” me dosje në duar ku ndjek me të njëjtin ritëm punën e tij.

Ekonomist me kohë të plotë, është edhe ekspert në gjykatë. Ai thotë se puna nuk e ka lodhur, nuk ka abuzuar kurrë me alkoolin dhe duhanin, ndërsa është marrë me sport.

Fatmiri vijon të punojë minimalisht 8 orë në zyrë,ndërsa trupi tregon se ruan cilësitë e një atleti apo sportisti me kohë të plotë. Në zyrë e ndihmon bashkëshortja kontable e miratuar dhe përkthyese.

Turkeshi rrjedh nga një familje e pasur. Nuk ka aspak nevojë të punojë në moshën e pensionit, por puna për të është disiplinë. Fëmijët punojnë jashtë e nuk ka aspak nevojë për ndihmë ekonomike, por punën nuk e lë asnjherë.

Durrsaku i vjetër, i cili është shembulli i mirë i një njeriu punëtor, thotë se të rinjtë e sotëm jo se nuk kanë mundësi por nuk i kërkojnë mundësitë për të qenë të dobishëm për jetën, familjen dhe shoqërinë.

K.H.