Kryeministri Rama, ka zbuluar arsyen e mbulimit të shtatores së Skënderbeut në Tiranë, e cila prej disa ditësh është e rrethuar me skela.
Përmes një postimi në Facebook, Rama shkruan: “qarkullon një kua-kua-kua këmbëngulëse në kënetën sociale për psenë e mbulimit të monumentit të Skënderbeut në Tiranë dhe formulohen mallkime për tradhti kombëtare”.
Kryeministri thotë se arsyeja është sepse monumentit po i merren format për realizimin më pas të një kopjeje të tij, e cila do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris.
Kreu i qeverisë shprehet se pas një përpjekjeje diplomatike të gjatë Shqipëria ka arritur të marr miratimin e autoriteteve franceze për të vendosur monumentin e Heroit tonë Kombëtar në një shesh të Parisit me emrin e tij.
“Punë ditësh dhe skela do të hiqet, kështu që edhe atdhetarët zemërtrazuar që llokoçiten në kënetën e kua-kua-kuave do të mund të çmallen me kalin e Skënderbeut dhe do t’u duhet të gjejnë një tradhëti tjetër”, shkruan ai.