Më shumë se 1000 kg shishe plastike të mbledhura nga nxënësit e 12 shkollave të Durrësit dhe studentët e UAMD-së dhe dhjetëra pemë dekorative të mbjellura në hapësirat e gjelbra rreth e rrotull stadiumit “Niko Dovana”.

Qindra nxënës dhe mësues të përfshirë, por edhe familje durrsake. 

Ky ishte rezultati i marshimit të gjashtë të lëvizjes River Cleanup Albania.

“Jemi 12 shkolla sot këtu bashkë me UAMD-në e Durrësit, me një moto: “Në dy thasë plastike ne i sjellim pranë shkollës sonë”. “Jusuf Puka” ka mbi 280 kg thasë, nga 4 kg për thas”, thotë për “DurrësLajm”, mësuese Gentiana Pipa, koordinatore e River Cleanup.

Çështjet ambientale duhet të na prekin të gjithëve, por vëmendja e shttuar që po tregon brezi i ri është një ogur i mirë për një Durrës më të pastër në të ardhmen.

Marshimi i sotëm startoi nga shkolla 9-vjeçare “Jusuf Puka” për të vazhduar më pas në rrugët kryesore të qytetit, ku jo pak tërhoqën vëmendjen e qytetarëve.

“Duke ndërgjegjësuar me këtë marshimin që kemi bërë, ne ndërgjegjesojmë dhe komunitetin”, shprehet mësuese Pipa.

Lëvizja vullnetare River Cleanup Albania ka ndërmarrë mbi 30 aksione pastrami përgjatë lumit Ishëm, lumi më i ndotur në Evropë. Gjatë këtyre aksioneve janë evaduar mbi 130,000 kg mbetje të ngurta nga rreth 6,000 vullnetarë nga Durrësi dhe qytete të tjera të vendit.

M.B.