Teuta ka lënë pas krahëve humbjen me Tiranën,. Kështu shprehet trajneri Edi Martini, që në prag të ndeshjes me Egnatian në Rrogozhinë, zbulon se ajo disfatë ndaj bardhebluve ka qenë një episod i izoluar dhe skuadra është gati të kërkojë fitoren në sfidën e radhës.

Si e ka përjetuar skuadra humbjen ndaj Tiranës?

Të them të drejtën kanë qenë ditë pak të zymta, pasi përveç humbje, bëmë edhe një lojë jo të mirë. Ishte humbja e parë, por nga ajo ndeshje ne kemi nxjerrë shumë mësime. Bëmë shumë gabime, që sigurisht mund të korrigjohen, por ka edhe ditë të këqija dhe një prej tyre ishte ndaj Tiranës. Gjithsesi e kemi lënë pas krahëve tani.

Ju shqetëson fakti që po pësoni kaq shumë?

Unë e shoh gotën gjysmë plot. Vitin e kaluar na keni kritikuar se kemi shënuar pak dhe merrni po ashtu pak, ndërsa këtë sezon kemi marrë më shumë, por më gëzon edhe fakti që po shënojmë shumë. Pjesën e pësimit të golave do ta rregullojmë patjetër.

Si e shihni përballjen me Egnatian?

Egnatia është një ekip shumë i mirë, me lojtarë me eksperiencë, që qarkullojnë mirë topin dhe lënë pak hapësira. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe shumë e luftuar.

Cili është objektivi i Teutës në këtë transfertë?

Këtë kampionat ne kemi luajtur gjithmonë në fushë asnjanëse, për shkak të problemeve me fushën në Durrës. Megjithatë edhe ndaj Egnatias luajmë për të marrë tre pikët, pasi ky është objektivi i vetëm që kemi ndaj çdo kundërshtari.

Çfarë jeni munduar të rregulloni gjatë kësaj jave?

Gjatë javës kemi punuar më shumë në aspektin psikologjik, pasi jemi munduar të bisedojmë me skuadrën, në mënyrë që të mos përsëritim gabimet që bëmë ndaj Tiranës.

Në krah të trajnerit Edi Martini, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Egnatian u shfaq edhe sulmuesi veteran i durrsakëve, Sebino Plaku, i cili u shpreh optimist se “djemtë e detit” kanë mundësinë të mbrojnë titullin kampion edhe këtë sezon.

“Humbja ndaj Tiranës ishte më shumë për shkak të gabimeve tona, pasi ishte një mbrëmje e keqe për të gjithë ne. Pa dashur t’u heq meritën kundërshtarëve, mendoj se më shumë e komplikuam vetë ndeshjen, megjithatë tani e kemi kaluar dhe po shohim përpara.Ky sezon është mjaft i vështirë, pasi shumë skuadra janë përforcuar dhe luajnë për fitore, megjithatë unë besoj te grupi që ka Teuta dhe jam i bindur që i kemi mundësitë të përsëritim sërish suksesin e titullit kampion.Nga eksperienca ime mund të them se futbolli është shumë dinamik dhe gjërat harrohen shpejt. Unë kam, luajtur në shumë skuadra dhe jo se jam harruar, por natyrisht që nuk kam më vëmendje. Edhe në futboll harrohet shpejt çdo sukses, pasi fillon një garë e re dhe duhet të jesh sërish aty për të fituar”, u shpreh sulmuesi i Teutës.