Në vitet `70, kaluan disa nga kohët më të bukura të rinisë së tyre.

Sot, 52 vite pasi kanë përfunduar maturën dhe nuk janë më ata 18-vjeçarët e dikurshëm, u takuan me njëri-tjetrin të përmalluar dhe me plot nostalgji.

Matura e vitit 1972 e gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës, u mblodh sot në ambientet e restorantit “2 Kitarat Aromë deti”, për të rikujtuar edhe njëherë kohën e rinisë, por dhe vitet që erdhën më pas.

Disa prej tyre kanë udhëtuar nga larg për t`u bërë pjesë i këtij takimi të veçantë.

“Është takimi i parë. Unë nuk vij asnjëherë në Shqipëri, pasi nuk kam asnjë këtu. Kam ardhur vetëm për këtë takim. Jam shumë e kënaqur. Kam ardhur mbrëmë dhe do të iki nesër.”

“Sot është hera e parë që mblidhemi pas 50 viteve. Jemi shokë të maturës 1972. Ishte një ide dhe dëshirë e imja si kujdestar i asaj klase. Shpresoj që ky takim mos të jetë i fundit.”

“Sa e mora vesh, me thënë të drejtën doja me ardh. Bëmë gjithë atë rrugë, erdha nga SHBA. Kishim shumë nostalgji, kemi mbi 50 vite që nuk jemi parë”,- u shprehën disa nga maturantët e vitit 1972 të gjimnazit “Naim Frashëri” për mikrofonin e “DurrësLajm”.

Për disa orë me radhë maturantët e dikurshëm, tashmë 70-vjeçarë, drekuan dhe kërcyen në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe nuk munguan as momentet prekëse, kur kujtuan ata që nuk mund të ishin sot në këtë drekë festive.