Pesë persona janë arrestuar nga Policia, pasi dyshohen se kanë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët po ushtronin detyrën në një resort në Golem.
Në pranga kanë rënë administratori i resortit, S.Ndreca, shefi i financës Z.Jaçaj, shefi i sigurisë A.Kasa, si dhe punonjësit e sigurisë H.Sula dhe B.Agolli.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 18 korrik 2026, ndërsa pesë të arrestuarit dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, penguan dhe privuan nga liria punonjësit e Tatimeve gjatë ushtrimit të detyrës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Kavajë
Mbajtën të mbyllur, për një kohë të konsiderueshme, brenda ambienteve të një resorti në Golem, punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vihen në pranga administratori dhe 4 punonjës të tjerë të resortit.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, pas kallëzimit të bërë nga punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, shtetasit:
S. N., 34 vjeç, administrator i resortit;
Z. J., 56 vjeç, shef finance në resort;
A. K., 56 vjeç, shef i sigurisë së resortit;
H. S., 64 vjeç, punonjës i sigurisë së resortit;
B. A., 57 vjeç, punonjës i sigurisë së resortit.
Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 18.07.2026, kanë penguar dhe kanë mbajtur të mbyllur, për një kohë të konsiderueshme, brenda ambienteve të një resorti në Golem, punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ishin duke ushtruar detyrën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.





