Anija e cila dyshohet se transporton mbetje toksike është ankoruar në radë të Portit të Durrësit.
Anija “Molive” është ankoruar rreth 1.5 milje larg Portit të Durrësit. “Moliva” raportohet se mban 200 kontejnerë dhe dyshohet me mbetje të rrezikshme.
Mbetjet, që dyshohet se janë të rrezikshme, kanë krijuar debate të shumta. Ditën e djeshme, përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civle kanë protestuar tek Porti i Durrësit.
Anije është ngarkuar me 2100 tonelata mbetje industriale që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme.
Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.
Nuk është e qartë se si do të veprohet në këtë rast nga autoritetet shqiptare, të cilat thanë se, përsa kohë çështja është nën hetim, i takon Prokurorisë të përcaktojë procedurat që do të duhet të ndiqen.
Pas një odiseje më shumë se 3 mujore lundrimi në det, deri në Azinë e largët, kontejnerët me mbetjet industriale të cilat dyshohet se janë pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, pritet të mbërrijnë në orët e para të mëngjesit të nesërm, në portin e Durrësit, ngarkuar në një anije të nisur nga Gioia Tauro në Itali. Pluhuri i dyshuar, i njohur me siglën EAF, përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.