Fillon seanca gjyqësore në Gjykatën e Durrësit për masën e sigurisë për Habib Rexhën, i cili ditë më parë ekzekutoi në një lokal në Kavajë Arian Gosën.

Seanca gjyqësore po zhvillohet pa praninë e mediave.

Pas vrasjes Rexha u largua nga vendngjarja për t’u vetëdorëzuar në polici më datë 23 maj.

Një ditë pas vetëdorëzimit të tij, policia ka gjetur në plazhin e Durrësit armën që Habib Rexha përdori për të vrarë Arian Gosën.

Pistoleta është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Ka qenë pikërisht 31-vjeçari ai që ka treguar se ku e kishte fshehur armën. Habib Rexha ka treguar se pak pas ngjarjes i ka lënë me qëllim në këtë zonë, si makinën dhe armën, që të humbte gjurmët.

Kujtojmë ngjarja ndodhi më 21 maj, ku Gosa u qëllua me plumb në kokë në sy të babait të tij, me të cilin kishte dalë për të pirë një kafe.

Më pas Rexha u largua nga vendi i ngjarjes në këmbë. Motivi pse 31-vjeçari ka ndërmarrë këtë akt të rëndë është hakmarrja. Dy muaj më parë, vëllai i Gosës dhe vëllai i tij u konfliktuan me njëri-tjetrin në mes të Kavajës dhe të dy mbetën të vrarë.

Armand Gosa u konfliktua me Altin Rexhën ku të dy humbën jetën, njëri i qëlluar me armë dhe tjetri me thikë. Pas një sherri për motive banale, Gosa qëlloi me thikë 43-vjeçarin Altin Rexha me origjinë nga Kukësi ndërsa ky i fundit iu përgjigj duke e qëlluar me një pistoletë që mbante me vete. Si pasojë e plagëve të marra, të dy personat e përfshirë në konflikt, ndërruan jetë në spital.