Mbetjet që Bashkia e Durrësit ka depozituar në landfillin e Sharrës nuk janë matur në sasi duke lënë saktësinë e shifrës vetëm në dorë të koncesionarit përmes faturave që ky i fundit ka lëshuar.

Ky është konstatimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas një auditimi në Bashkinë e Durrësit ku pjesë e tij ka qenë një tërësi aspektesh nga taksat, tek administrimi apo prokurimet. Konkretisht raporti ka nënvizuar se “nga auditimi i zbatimit të mbikëqyrjes së kontratës me objekt “Depozitimi i mbetjeve urbane Bashkia Durrës”, me fond limit 1,148,864,000 lekë pa TVSh, për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit 2021, rezulton se nga Bashkia Durrës nuk kryhet matja e sasisë së mbetjeve që do të depozitohen në landfillin e Sharrës përpara se ato të nisen me mjetet e saj për në landfill”.

Po kështu audituesit kanë sjellë në vëmendje se ndjekja e kontratës duhet që të bëhet nga mbikëqyrësit të cilët kanë munguar fizikisht në momentin që mjetet e Bashkisë bëjnë depozitimit. Teksa për sasinë ky institucion është mjaftuar m faturat e koncesionit duke mos pasur kështu të sigurt saktësinë e sasisë që është depozituar realisht.

“Mbikëqyrësit e caktuar për ndjekjen e kësaj kontrate nuk janë fizikisht prezent në momentin që mjetet e Bashkisë Durrës bëjnë depozitimin e mbetjeve në landfill. Autoriteti Kontraktor Bashkia Durrës mjaftohet vetëm me faturat e lëshuara nga ana e koncesionarit përsa i përket sasisë së mbetjeve të depozituara çdo ditë në landfillin e Sharrës. Mungesa e kryerjes së procesit të mbikëqyrjes nga ana e dy punonjësve të caktuar për këtë qëllim, ka sjellë si pasojë që të mos ofrohet siguri mbi sasinë e saktë të mbetjeve që depozitohen çdo ditë në landfillin e Sharrës nga ana e Bashkisë Durrës”, thuhet në auditim.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar që kryetari i Bashkisë Durrës, nëpërmjet strukturave përkatëse të marrë masa të menjëhershme, për kryerjen e procesit të mbikëqyrjes së sasisë së mbetjeve që depozitohen çdo ditë nga Bashkia Durrës në landfillin e Sharrës.

Bashkia e Durrësit nisi depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës në vitin 2021 pas mbylljes së depozitimit në Porto Romano. Mungesa e fuqisë financiare për të përballuar faturën për depozitimin në Sharrë bëri që për disa ditë mbetjet të ktheheshin në një problem serioz në mes të sezonit veror dhe më pas të ishte qeveria ajo që mbështeste Bashkinë.

Marrë nga Monitor