-Me rastin e 90-të vjetorit të lindjes

Nga BUJAR QESJA

Ka ditëlindje, që kalojnë si një datë në kalendar dhe ka të tjera që shndërrohen në ngjarje njerëzore. E tillë është edhe 90-tëvjetori i stomatologut të njohur durrsak Pirro Qerimi, i festuar në mënyrën më të bukur të mundshme, mes miqve, kujtimeve, respektit dhe dashurisë njerëzore.

Në një nga kafenetë e qytetit, larg ceremonive pompoze dhe formaliteteve të tepërta, u mblodhën pranë tij miq të hershëm dhe bashkëudhëtarë të jetës. Ishin aty Agim Këlliçi, ish-nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të kp të Rrethit të Durrësit, Robert Bali, ushtarak i lartë i Marinës Luftarake Detare, Asti Panteqi, ekonomist i njohur, Flamur Hidri, ekonomist dhe ish-drejtor i Bankës Kombëtare, Lutfi Shehu, kolonel dhe ish-shef i Mbrojtjes Civile të Qarkut të Durrësit, si dhe gazetari e operatori Astrit Tahiri. Në mesin e tyre, qëndronte me buzëqeshjen e tij të zakonshme protagonisti i ditës, Pirro Qerimi.

Ishte një tavolinë, ku vitet nuk peshoheshin me numra, por me kujtime. Një tavolinë ku secili sillte me vete një copëz historie dhe ku të gjithë bashkoheshin në një mendim të vetëm, respektin për një njeri, që ka ditur të mbetet i dashur dhe i vlerësuar në çdo etapë të jetës.

Në Durrës, emri i Pirro Qerimit është shumë më tepër sesa emri i një stomatologu. Ai përfaqëson një brez profesionistësh, që e ndërtuan karrierën me dije, përkushtim dhe sakrificë. Për dekada me radhë, u bë pjesë e jetës së mijëra qytetarëve, duke u shërbyer jo vetëm me profesionalizëm, por edhe me mirësinë dhe komunikimin e veçantë.

Njerëzit e kanë njohur gjithmonë si mjek të qetë, të matur dhe të përkushtuar. Në profesionin e vështirë të stomatologjisë, ku përveç dijes kërkohet durim, përpikëri dhe humanizëm, Pirro Qerimi arriti të ndërtojë një emër, që fitoi besimin e të gjithëve. Mbetet ndër ata specialistë, që nuk e shihnin pacientin si rast pune, por si njeri që ka nevojë për kujdes dhe mirëkuptim.

Por jeta e Pirro Qerimit, nuk kufizohet vetëm brenda mureve të klinikës. Është intelektual i formuar, bashkëbisedues i këndshëm, njeri që e ka dashur librin, kulturën dhe komunikimin. Kushdo që ka kaluar disa minuta në shoqërinë e tij, ka ndjerë menjëherë qetësinë dhe elegancën e një qytetari të vërtetë.

Ndoshta kjo është arsyeja, që edhe sot në moshën 90-të vjeçare, vazhdon të rrezatojë energji dhe optimizëm. Vitet kanë kaluar, por nuk kanë mundur të zbehin as fisnikërinë e karakterit të tij, as kthjelltësinë e mendimit dhe as humorin e hollë që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.

Në atë tavolinë miqsh, bisedat kalonin nga e shkuara në të tashmen. Kujtoheshin ngjarje, njerëz, episode pune dhe histori qytetare. Ishte sikur secili prej, të pranishmëve po shfletonte një album të madh kujtimesh, ku Pirro Qerimi zinte vend të veçantë.
Dhe kjo nuk ishte rastësi.

Ka njerëz, që kalojnë nëpër jetë pa lënë gjurmë dhe ka të tjerë si Pirro Qerimi, që lënë pas respekt. Ka fituar atë, që është vlerësimi më i madh për çdo njeri, dashurinë dhe mirnjohjen e njerëzve.
Në 90-të vitet e jetës, ka përjetuar kohë të ndryshme, sfida dhe suksese, ditë të gëzuara dhe momente të vështira. Por në çdo kohë ka ditur të ruajë dinjitetin, korrektesën dhe qytetarinë shembullore.

Prandaj ky jubile, nuk është vetëm një përvjetor personal. Është edhe festë e vlerave që përfaqëson. Është nderimi për një profesionist të shquar, për një intelektual të respektuar dhe për një qytetar që i ka bërë nder Durrësit.

Në fund të fundit, 90-të vjet nuk janë thjesht një numër. Janë nëntë dekada pune, përkushtimi, miqësie dhe dashurie për njerëzit. Janë nëntë dekada të jetuara me krenari.

Ndërsa miqtë ngrinin gotat për ta uruar, në atë takim ndihej qartë, se nderimi nuk i bëhej vetëm moshës. Nderimi i bëhej jetës së tij.
Dhe kjo është fitorja më e madhe e Pirro Qerimit.

Gëzuar 90-të vjetorin, doktor Pirro!

Le të vazhdojë buzëqeshja juaj e qetë, të ndriçojë miqtë, familjen dhe qytetin që ju deshi e ju respektoi gjithmonë. Sepse njerëz si ju, nuk numërojnë vitet që kanë jetuar, por vlerat që kanë lënë pas.

Dhe ju keni lënë shumë. Aq shumë, sa emri juaj mbetet pjesë e kujtesës së bukur qytetare të Durrësit.

Bujar Qesja
Durrës: 4 qershor 2026

Në pamje, nga e djathta: Agim Këlliçi, Robert Bali, Pirro Qerimi, Flamur Hidri, Astrit Tahiri, Asti Panteqi dhe Lutfi Shehu.